ASAMBLEJA E PS/Rama e nis me sukseset e mandatit të parë:”Arsyeja pse duhet të marrim mandatin e tretë”
Çelet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste me fjalën e kryetarit Edi Rama nga skena e Amfietarit të Tiranës.
Rama e ka nisur fjalën e tij duke kujtuar reformat e thella që qeveria e tij ka bërë në mandatin e parë. “Ndalëm hemoragjinë financiare”, tha Rama teksa rrëfeu edhe bisedën e atëhershme me krerët e FMN-së që kërkonin ulje të pagave për shkak të situatës së rëndë ekonomike.
Rama tha se pagat jo vetëm që nuk u ulën, por qeveria e tij bëri edhe një nga reformat që në sytë e ndërkombëtarëve ishte e pamundur, reforma në energji.
“Të mos lëmë përshtypjen te të tjerët se jemi të kënaqur me sa kemi bërë”, tha Rama, duke shtuar se këto janë disa nga arsyet përse Partia Socialiste meriton një mandat të tretë.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Është e rëndësishme të kemi parasysh nga vijmë, që të dimë se ku mund të shkojmë, dhe tanimë kur bëhen 7 vjet nga dita kur morëm detyrën, mund të thuhet me plot gojën se jemi në kushtet kur e keqja më e madhe është harruar ose duhet kujtuar dhe rikujtuar, sepse dita kur ne e nisëm këtë rrugëtim, nuk ka asgjë të ngjashme në raport me punët e vendit në ditën ku jemi sot, por siç e keqja harrohet shpejt, edhe e mira s’ka fund. Të mos lëmë përshtypjen te të tjerët se jemi të kënaqur me sa kemi bërë.
Kur kthen kokën pas është e vështirë të zgjedhësh se çfarë duhet të kujtosh më parë. Mandati i parë ishte përpjekja për të ndaluar rrënimin dhe një hemoragji të rrezikshme në raport me vetë financat e vendit. Kur u ulëm në detyrë dhe pamë të dhënat reale të vendit, kemi qenë përballë sfidës së madhe të financimit të rrogave dhe pensioneve pa qenë nevoja t’i ulim ato. E kujtoj si sot bisedën me FMN që rekomandonte ta fillonim nga ulja e rrogave te pensioneve. Dhe insistonte se do ta kompensonim me një reformë agresive në sistemin e energjisë. Drejtuesit e FMN më kanë thënë se këtë e kemi dëgjuar nga kyreministrat e mëparshëm, por kjo reformë në Shqipëri nuk bëhet. Ata që sot me të drejtë apo pa të drejtë ankohen për çka u mungon, duhet të kujtojnë që 7 vite më parë mbanin rradhën në shi për të paguar fatura arbitrare të energjisë elektrike. Të cilat i paguanin për vete dhe gjysmën e dynjasë që nuk denjonte të paguante. Sot nuk ka më rradhë apo arbitraritet në faturë që nuk korrigjohet. Pa llogaritur investimet e vazhdueshme, por të munguara që nga koha e elektrifikimit të vendit.
Kjo është arsyeja pse duhet të marrim mandatin e tretë.