“Lava rrobat e djalit tim me gjak. Nuk e dija. Punoj tek lavanderia spitalit.” Flet nëna e 20 vjeçarit të vrarë.
Nëna e Musaenit, ndonëse me zemrën copë nga dhimbja e madhe, foli për Shqip nga Rudina Xhunga, për të treguar çastin kur mori vesh për humbjen e të birit.
“Unë nuk e dija që fëmija im ishte vrarë në Velipojë. Djalin e çuan në morg, emrin nuk ia shkruan Musaen Zeneli, siç e ka, por Myzerim dhe kjo ngatërroi shumë njerëzit. Edhe njerëzit e mi nuk e dinin. Unë shkova në punë në gjashtë e gjysmë se punoj te lavanderia e spitalit. Lava rrobat me gjak të djalit dhe nuk e dija që ishte fëmija im që po lahej në morg. Unë nëna e tij, atë mëngjes shkova në morg dhe nuk dija që djali im ishte aty. A ka më hall për nënën. Unë e mora vesh që ishte në morg, por më thanë: “Nuk është djali yt” sepse nuk donin të më çonin te morgu. Por zemra e nënës ndjen çdo gjë! M’u këput zemra, trupi e shpirti.”, thotë mes lotësh nëna e Musaenit.
I riu nga Bahcallaku punonte në zonën e plazhit, në biznese të ndryshme. Së fundmi kishte folur me vëllezërit Gocaj për t’i gjetur punë. E shtuna ishte dita e parë e punës, por qëlloi të ishte edhe dita e fundit e jetës së riut, historia e të cilit preku gjithë Shqipërinë. Musaeni ishte shumë i gëzuar që gjeti punën, thotë zonja Zeneli për Dritare TV