Duka ‘fut në xhep’ 500 MLN Lekë nga shitja e biletave Shqipëri-Poloni
Ditën e nesërme në stadiumin “Air Albania” Shqipëria luan përballë Polonisë në një prej ndeshjeve më të rëndësishme për eliminatoret e Botërorit. Biletat për këtë ndeshje e cila mezi pritet nga tifozët shqiptarë dhe jo vetëm kanë dalë në shitje që më 23 shtator dhe para pak ditësh u njoftua se janë shitur të gjitha. Çmimi më i lirë i biletave për këtë ndeshje ishte 1000 lekë të reja dhe ajo më e shtrenjta për tribunat “Vip” ishte 18.000 lekë të reja. Sipas “PanoramaSport” në llogaritjet totale për rreth 22 mijë bileta të shitura, institucioni i futbollit do të arkëtojë të paktën 500 milionë lekë të vjetra.
Por duke ditur se Federatës së Futbollit, me në krye Armando Dukën do t’iu shtohen plot 500 milion lekë të vjetra në llogari të gjithë duan të dinë se për çfarë do të shfrytëzohen dhe ku do të shkojnë. Kjo pasi prej shumë vitesh pakënaqësitë ndaj institucionit që Armando Duka drejton sa vijnë e shtohen dhe të pakënaqur nuk janë vetëm futbollistët, por edhe trajnerët, teknikët, ndihmësit madje edhe tifozët. Problematika kryesore që drejtohen ndaj FSHF-së shpeshherë kanë të bëjnë me infrastrukturën e cila le shumë për të dëshiruar pasi kushtet skandaloze ku futbollistët luajnë nuk mund të krahasohen as me vende të botës së tretë. Stadiumet, fushat e blerta, stolat, ndriçimi, dhomat e zhveshjeve në disa stadiume në vendin tonë janë të mjerueshme, pasi FSHF dhe Duka harrojnë se federata ka përgjegjësi ndaj të gjitha grupeve të futbollit dhe kategorive.
Prej vitesh në media janë denoncuar kushtet skandaloze të futbollit në vend, ku lojtarët detyrohen të luajnë në ‘moçale’, të lahen në dushe skandaloze dhe të zhvishen në natyrë, siç ka ndodhur vite më parë me ekipet e moshave ku lojtarët u fotografuan duke u zhveshur në natyrë.
Të bësh sport në Shqipëri është një sakrificë e vërtetë dhe për fat të keq kjo sakrificë fillon që në nivelet e të rinjve të ekipeve zinxhir, të cilët bëjnë sakrifica të mëdha për pasionin e tyre, por që FSHF nuk sheh asgjë tjetër përveç Superiores dhe qokave ndaj drejtuesve të tyre. Pasi dihet nga të gjithë se fondet që Superiorja merr nga FSHF as që krahasohen me ato që marrin kampionatet e moshave që përgatisin talente të reja për Kombëtaren dhe jo vetëm.