Dritan Leli kërkoi pezullimin nga detyra të Agron Gjipalit, Këshilli Bashkiak nuk e miraton
Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, refuzoi sërish sot mbledhjen e thirrur nga Këshilli Bashkiak, duke kërkuar që të zhvillohej online ndërsa kishte kërkuar edhe shkarkimin nga detyra të sekretarit të përgjithshëm të këshillit, Agron Gjipali, me argumentin se ka mbushur moshën e pensionit.
Mirëpo Këshilli Bashkiak nuk e miratoi vendimin e tij. Anëtarët e Këshillit bashkiak të Vlorës e konsiderojnë propozimin tendecioz, sidomos kur vjen tani që ka tensione midis palëve. Sipas tyre Këshilli bashkiak i Vlorës është i vetmi institucion i cili mund të shkarkojë Sekretarin e Përgjithshëm dhe të emërojë një të ri.
Sipas këshilltarëve Gjipali duhet të qëndrojë në detyrë derisa të gjendet një profesionist i ri që mund ta zëvendesojë dhe jo të pushohet nga detyra menjëherë.
Sakaq vijon mbledhja e dytë online e Lelit me drejtuesit e institucioneve të bashkisë Vlorë, ku ka dhënë argumentet e tij se përse sekretari nuk duhet të vijojë në detyrë.