Sigfrido Ranucci, një ndër drejtuesit e televizionit italian ‘RAI’, në një intervistë për Syri.Tv, sqaroi situatën që është krijuar pas investigimit të kryer nga emisioni ‘Report’, ku u trajtua marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët dhe shumë të fshehta që qëndrojnë pas saj.
Ai iu përgjigj deklaratave të kryeministrit Rama, duke thënë se reportazhi i tyre nuk është sulm ndaj popullit shqiptar, pasi çdo gjë është thënë me emër dhe mbiemër.
“Këtë duhet ta them qartësisht, nuk është një sulm ndaj popullit shqiptar, që sipas meje është shumë i afërt me ne. Absolutisht nuk duhet të përgjithësojmë. Është një transmetim shumë kritik, por ne nuk duam të përgjithësojmë. Ne kemi folur për çështje me emra dhe mbiemra. Kur ka përgjegjësi penale, ka emra dhe mbiemra. Nuk është sulm për popullin shqiptar, për Shqipërinë.
Fakti që është përdorur Rama dhe Shqipëria për të sulmuar Melonin nuk është aspak i vërtetë. Sikurse nuk e keni parë, as nga ana e qeverisë italiane, as nga qeveria shqiptare, nuk kemi pasur fatin që të bashkëbisedojmë me ta dhe të sqarojmë faktet,’ tha Ranucci.