Dosja “Kakome”/ Kallëzohen me SPAK, mafiozët Luan Leka, Shaban Memia, Dritan Çelaj e Andri Dhima, Drejtor Kadastre-Sarandë
Grabitja/ Sipërfaqja 39 ha tokë buzë detit pranë Lukovës, është shitur me 119 lekë/m2 nga Shaban Memia më 23.03.2012, si gjoja resort i ndërtuar dhe brenda 20 ditësh, më 16.04.2012 është hipotekuar me letra false në favor të firmës “Riviera Kakome”; ndërsa kjo vjedhje pasurie shtet 20 ha tokë pronë ligjore e banorëve të zonës, iu la përsëri bandës “Leka-Çelaj” me Vendim nr. 14, datë 10.06.2020 të firmosur nga Edi Rama, i cili në fushatën zgjedhore e quajti “krim mafioz” i Sali Berishës, Ilir Metës e Shaban Tapisë
Qysh prej datës 17 korrik 2021, kryetari i fshatit Nivicë-Lukovë, Stefan Llambri dhe banorët, kanë depozituar në SPAK, kallëzim për grabitjen me letra false, nga oligarkë e ish-zyrtarë shteti, të 20 hektarë tokë pronë të tyre ligjore në Kakome.
Të kallëzuar në SPAK, për disa vepra penale “Shpërdorim detyre” e “Falsifikim dokumentesh” të kryera në bashkëveprim, janë këta persona:
LUAN LEKA, akuzuar për veprën penale falsifikim i dokumenteve pronësore zyrtare e private; vjedhjes me mashtrim të pronës private e shtetërore dhe korrupsion me zyrtarë shteti.
SHABAN MEMIA, ish-Drejtor i ALUIZNI-it, akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, me objekt korrupsion, bashkëveprim në falsifikimin e zhdukje të dokumenteve pronësore të banorëve e shtetit; dhe favorizim në grabitjen e pronës me akt shitje-hipotekimi.
DRITAN ÇELAJ, i akuzuar për falsifikimin e 15 dokumenteve zyrtare e private të banorëve; vjedhjes me anën e mashtrimit të pronës private e shtetërore dhe korrupsion me zyrtarët e shtetit.
ANDRI DHIMA, Drejtor i Kadastrës-Sarandë, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe ndikim i paligjshëm, për vazhdimin dhe fshehjen e krimit të grabitjes së 20 hektarë tokë të banorëve në Kakome e të 19 hektarë tokë pronë shteti.
Banorët iu drejtuan SPAK-ut, mbasi Prokuroria e Sarandës e bllokoi denoncimin e bërë 1 vit më parë, nga presioni i “të fortëve” të oligarkëve; presioni i shefave të “Veting” të lidhur me ta në “Resort Kakome”, dhe “çeku” që iu dha prokurorit Sali Hasa, tashmë i burgosur.
Tashmë, dosja është në SPAK, shoqëruar me fakte e bazë ligjore në favor të banorëve, ku provohet krimi që kanë bërë biznesmenët Luan Leka e Dritan Çela; dhe Shaban Memia ish-Drejtor i ALUIZNI-t të Shqipërisë e Andri Dhima, aktualisht Drejtor i Kadastrës-Sarandë.
Kjo bandë shtet-oligarkë, u ka grabitur 20.5 hektarë tokë banorëve në Kakome dhe 18.5 hektarë tokë buzë detit ia kanë grabitur shtetit; me çmim shit-blerje 119 lekë/m2, duke përdorur letra pronësie, ndërtimi e legalizimi false.
Në kallëzimin penal, thuhet se kjo grabitje 39 hektarë tokë pronë e banorëve dhe e shtetit në Kakome, është mbështetur dhe me Vendim nr. 14, datë 10.06.2020 të Këshillit Kombëtar të Territorit, firmosur nga Edi Rama dhe ministrat Belinda Balluku e Blendi Klosi, të cilët kanë ri-përsëritur lejen për ndërtimin e “Kakome Bay Resort”.
Nga kjo sipërfaqe e grabitur, 20.5 hektarë është pasuri ligjore e 1005 banorëve të fshatit Nivicë-Kakome, dhënë qysh më 20.12.1994 nga Komuna Lukovë.
Mirëpo, në datën më 23.03.2012, Shaban Memia ia shiti oligarkëve Luan Leka e Dritan Çelaj me 119 lekë/m2; ndërsa pas 20 ditësh, më 16.04.2012, me urdhër të Sali Berishës e Ilir Metës, u hipotekua në emër të firmës fantazmë “Riviera Kakome”.
FAKT/ Më 16 maj 2012, vetëm 1 muaj e gjysëm pas shitjes dhe hipotekimit të kësaj toke, që u është grabitur banorëve dhe shtetit në Kakome; Erjon Braçe thirri në interpelancë ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi, duke i kërkuar t’u hiqej oligarkëve mafioz (siç i quajti); në të kundërt, Braçe u betua se akt-shitja do anulohej pas ardhjes së PS në pushtet.
Por gjatë 8 vite pushtet, Rama e Braçe kanë nxjerr 6 vendime, që jo vetëm e konsiderojnë të ligjshme grabitjen në Kakome prej bandës Leka-Çelaj-Memiaj; por i kanë rinovuar certifikatën e pronësisë e lejen ndërtimor, ndërsa 6 muaj më parë, i dhuruan dhe 5 hektarë të tjerë tokë atje.
NË VIJIM/ Do publikojmë “punët” që ka bërë e po bënë Drejtori i Kadastrës së Sarandës, Andri Misto Dhima; si dhe 3 vilat, kullën, fermën agro-blegtorale 4 hektarë dhe bizneset e “Shaban Tapisë” në Tiranë-Durrës-Shëngjin./Pamfleti