Teksa ka ndarë një foto duke lexuar në Ditën Ndërkombëtare të Librit, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se libri është miku i tij më i mirë. Meta akuzon qeverinë shqiptare se ka orientuar të rinjtë drejt veseve dhe kafeneve, duke zbrazur bibliotekat e libraritë.
Më tej, Meta shton se Partia e Lirisë ka një plan konkret për të mbështetur shtëpitë botuese.
“Libri është dashuri e madhe e të gjitha kohërave dhe padyshim miku më i mirë. Është tragjike që “Rilindja” në këto vite i ka orientuar të rinjtë drejt veseve dhe kafeneve, duke zbrazur bibliotekat, libraritë dhe duke i dëbuar nga Shqipëria.
Megjithatë kurrë nuk është vonë t’u kujtojmë fëmijëve dhe të rinjve se vetëm dija mund të pasurojë dhe të ndryshojë jetët e tyre.
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit i ftoj të gjithë të rinjtë të rikthehen fuqishëm tek libri dhe leximi, për plotësimin e dijeve dhe realizimin e ëndrrave në Atdheun e tyre, që me objektivin tonë madhor do të ketë 4 milion shqiptarë plus. Partia e Lirisë ka një plan konkret për të mbështetur shtëpitë botuese dhe të gjithë krijuesit”, shkruan Meta.