“Kemi besim vetëm tek Zoti”/ Banorët e Lumasit në grevë urie: Të shkarkohet Ardi Veliu, policia na ka dhunuar
Diten e djeshme banorët e Lumasit u futën në grevë urie, pasi përpjekjet e tyre për mbrojtjen e burimit të Sinecit ranë në “vesh të shurdhër” sipas tyre. Vlen të thuhet, se ata po protestojnë prej mbi 3 muajsh, ndërsa përplasjet me policinë kanë qenë të shpeshta. Gjithashtu, ata pretendojnë se janë dhunuar nga policia e shtetit.
Një nga banorët është shprehur për Fax News, se tek shteti i ka humbur besimi, por kanë besim tashme vetëm tek Zoti dhe SPAK.
“Ne jemi të vendosur për t’i shkuar deri në fund. Na ka humbur besimi komplet te shteti, drejtësia dhe të tërë. Kam hyrë vetëm me një besim: te Zoti dhe SPAK. I kemi thënë, ju lutem shumë, merreni me përparësi këtë çështje. Përderisa jemi dhunuar nga policia e shtetit. I bëj thirrje SPAK, ta shikojë këtë sepse është tërësisht korruptive. Kjo është e njëanshme. Jemi të vendosur për të shkuar deri në fund. Dhunimi vjen me urdhër të Ardi Veliut.”-tha një nga banorët.
Ndërkohë, një tjetër banor i Lumasit që është futur në grevë kërkoi shkarkimin e drejtorëve lokalë të policisë në Berat dhe gjithashtu shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliu, që sipas tij është ai që jep urdhërat për dhunë ndaj tyre.
“Kjo është një zonë e mbrojtur. Na kanë marrë me shkelma gratë dhe familje tona. Kërkojmë largimin e drejtorit të policisë. Kërkesat ja drejtojmë kryeministrit dhe qeverisë. Kërkojmë vetëm drejtësi. E kemi dërguar dhe në SPAK këtë projekt. Prishjen e kanioneve, prishjen e bimësisë. Projekti nuk zbatohet sipas rregullave, është ndryshuar disa herë. Bie ndesh me mbrojtjen e natyrës. Të respektohet ligji, jo dhunë. Sepse dhuna sjell dhunë. Dhunë, dhunë! Është e tëra e qëllimshme. Policia duhet të mbështesë protestën jo firmën Salillari.,-tha grevisti.