Bashkia Korçë për fushatën kundër Bregoviç: Refuzojmë të biem në grackën e instrumentalizimit politik
Ndërsa datat e Festës së Birrës po afrojnë, Bashkia Korçë ka bërë një postim në Facebook, duke shkruar se, njerëzit në këtë festë i bën bashkë muzika, dëshira për ta festuar e gëzuar jetën dhe magjia e Korçë që bën krenare vendasit e mahnit vizitorët nga brenda e jashtë Shqipërisë.
Gjithashtu nuk ka munguar edhe një reagim në lidhje me fushatën për bojkotimin e festës për shkak të pranisë së këngëtarit serb, Goran Bregoviç.
Bashkia shkruan se, Korça dhe korçarët nuk i kanë harruar vuajtjet, por thjesht po refuzojnë me dinjitet e mençuri të bien në grackën e instrumentalizimit politik
Postimi në Facebook
KORÇA që këndon DUA MË SHUMË SHQIPËRINË
Po afrohen ditët e Festës së Birrës në Korçë, ditët e gjallërisë, gëzimit dhe rekordit të vizitorëve që zgjedhin të shijojnë magjinë e Korçës dhe festën.
Ka 15 vite që Festa e Birrës tejmbush hotelet, baret, restorantet, rrugicat e bulevardet e Korçës duke u bërë promotori i një filozofie të tërë zhvillimi për turizmin dhe ekonominë lokale që nisi nga Korça e u hap me shpejtësi në gjithë Shqipërinë.
Njerëzit në këtë festë i bën bashkë muzika, dëshira për ta festuar e gëzuar jetën dhe magjia e Korçë që bën krenare vendasit e mahnit vizitorët nga brenda e jashtë Shqiperisë.
Korça i ka të gjitha!
Sharmin e një qyteti europian, kulturën dhe mikpritjen e shkëlqyer të banorëve të saj, historinë, artin, muzikën, kulinarinë, ajrin e freskët edhe në verën përvëluese.
Ka edhe Festën e Birrës dhe shumë festa të tjera që bëjnë bashkë mijëra korçarë e vizitorë për t’iu gëzuar jetës, harmonisë dhe mrekullisë që Korça fal.
Korçarët me të drejtë janë krenarë e të vetëdijshëm për atë që Korça i ka dhënë e vazhdon t’i japë Shqipërisë.
Që nga fjalët e himnit te flamurit, mësonjëtoren e parë të shkronjave shqipe, Bandën Vatra, Korin Lira, filantropët, patriotët dhe intelektualët e shquar që edhe në mërgim punuan deri sa mbyllën sytë për Korçën dhe Shqipërinë.
Korça e shkëlqimit të Rilindjes Kombëtare, Korça e trimërisë së luftës për atdhe, Korça e mikpritjes bujare e të pakursyer të vëllezërve shqiptarë të Kosovës gjatë luftës, Korça që ka kryekëngë “Dua më shumë Shqipërinë”, Korça me banorë nga minoritete, etni kulturore e fe të ndryshme, në harmoni perfekte me njëra-tjetrën, ka qënë e vazhdon të jetë drita e patriotizmit, kulturës, tolerances dhe modelit të shkëlqyer të një lokaliteti të civilizuar me vlera të rralla që bëjnë krenar çdo korçar e shqiptar.
Përpjekjet e ditëve të fundit për të dëmtuar imazhin e Korçës dhe korçarëve janë thjesht pjesë e një skenari që nxit përçarje e konflikt, për të trazuar ujërat e për të nxehur gjakrat me të pabëra e të pathëna.
Korçarët nuk janë të pandjeshëm ndaj dhimbjes e vuajtjeve të mëdha të njerëzve të gjakut e kombit të tyre! Përkundrazi!
Korça dhe korçarët thjesht po refuzojnë me dinjitet e mençuri të bien në grackën e instrumentalizimit politik të një feste ku në vite kanë kënduar këngëtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Greqia, Hollanda, Suedia, Anglia, Italia, Franca, SHBA dhe tani po vjen të këndojë edhe një këngëtar serbo-kroat i lindur në Bosnjë.
E ka mirëpritur çdo cep i botës muzikantin ballkanas që kë kapërcyer prej vitesh kufijtë e Ballkanit, e ka mirëpritur edhe Tirana në 2006.
Të pandjeshem janë ata që hedhin gurin e ndasive dhe fshehin dorën që prek koren e plagëve të vëllezërve shqiptarë të Kosovës duke shpifur, trilluar e manipuluar e deri duke vënë në gojën e drejtuesve të bashkisë fjalë të pathëna për t’i fryrë zjarrit të ndezur po prej tyre dhe për të fyer sakrificat e shqiptarëve për liri.
Por ata harrojnë se Korça dhe korçarët kanë qënë e do të jenë gjithmonë ne anën e dritës!
Le të festojmë së bashku me kulturë e qytetari!
Le t’i kendojmë dashurisë, atdheut, harmonisë dhe vlerave njerëzore.
Kështu e DUAM MË SHUMË SHQIPËRINË!