Basha flet me shifra/ “Fatura e programit tonë ekonomik shkon 500 milionë euro në vit”
Kreu i PD Lulzim Basha ka zgjedhur që të flas me shifra sa i takon programit të tij ekonomik, që sipas tij do ta vërë në zbatim që ditën e parë që do të vijë në pushtet.
Gjatë një interviste, Basha u shpreh se sipas llogaritjeve nga reformat në shëndetësi, arsim dhe bujqësi, fatura do të shkoj nga 400 deri në 500 milionë euro në vit.
Sipas kreut demokrat, qeveria e Edi Ramës në bazë të raportit të KLSH ka shpërdorurar çdo vit 1.2 miliardë euro.
“Po, patjetër që po dhe është në shifrat nga 400 deri në 500 milionë euro në vit. Po ki parasysh të lutem raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili flet për 1.2 miliardë euro çdo vit të shpërdoruara nga kjo qeveri. Ndërkohë që plani ynë ekonomik i përshkallëzuar në vite ka një faturë nga 400 deri në 500 milionë euro në vit. Gjithçka është e llogaritur.
Ç’është më e rëndësishmja të kuptohet është nuk bëhet fjalë për premtime asnjëri prej angazhimeve që kemi ndërmarrë nuk është një premtim ndaj shqiptarëve po është produkt i një plani të mirë menduar dhe siç ua thashë të kostuar dhe njëherë kosto vërtitet midis 400 dhe 500 milionë euro në vit.
Përshkallëzohet nga viti në vit sepse disa shpenzime rriten nga viti në vit por vit për vit nga viti 2014 deri më sot vetëm sipas KLSH qeveria e Edi Ramës ka shpërdoruar dhe ka vjedhur 1.2 miliardë euro. Prandaj me reformat tona jo vetëm do të mundësohet të paguhet për rritjen e rrogave dhe të pensioneve por do të mundësohet mbi të gjitha angazhimi ynë më i madh që është një Shqipëri me një klimë biznesi që do të mundësoj punësim, 110000 vende të reja pune dhe me fokus të veçantë punësimin e të rinjve për të ndalur plagën më të madhe që ka vendi sot, katastrofën kombëtare do të thoja që është emigracioni i të rinjve”, tha Basha.