Rafineria e Ballshit/ Balluku: Kemi trokitur në dyert e duhura.
Ministrja Belinda Balluku deklaroi sot se qeveria shpreson që në fund të muajit shkurt, të marrë zgjidhje çështja e rafinerisë së Ballshit.
Në konferencën për shtyp duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, ministrja Balluku tha se “qeveria po kërkon një investitor të përgjegjshëm dhe serioz që përmes investimit ta bëjë funksional rafinerinë dhe të prodhojë përfitime”.
“Nuk është as e jona e qeverisë rafineria e Ballshit. Është një ndërmarrje e privatizuar prej vitesh. Që nga dita e parë që kam qenë në këtë detyrë më është dashur të bëjë një koordinim jashtë çdo përgjegjësie shtetërore midis rafinerisë dhe Bankers-it për t’i furnizuar apo Albpetrolit thjesht dhe vetëm se Kryeministri Rama ka qenë sensitiv ndaj këtyre punonjësve të rafinerisë sepse nuk është në interesin tonë kush e operon atë rafineri apo si e operon”, – nënvizoi Balluku.
Por, vijoi ministrja, “si ka ardhur situata, ne po mundohemi që krah bankës që është në të vërtetë pronarja legjitime e asaj rafinerie, sepse dhe kompania azere nuk ka performuar mirë përsa i përket pagesave, jemi munduar që të lypim për Shqipërinë dhe të trokasim në çdo derë të mundshme për të kërkuar që ajo rafineri të kalojë në dorën e një investitori të përgjegjshëm, që do ta vlerësojë për atë që është”.
Ministrja Balluku u shpreh se “ajo është një rafineri e vjetër jashtë kushteve teknike dhe të sigurisë dhe aty duhet nje investitor që të vlerësojë situatën thellësisht, të investojë me dëshirën e mirë për ta kthyer në një rafineri me fitime”.
“Ne nuk presim që të vijnë bamirës në Shqipëri dhe të marrin rafinerinë e të bëjnë sikur punon e të mbajë 850 veta në punë. Ne presim që të kemi një investitor të përgjegjshëm, me ndjeshmëri ndaj industrisë. Kemi trokitur në dyert e duhura jo më vonë se fundi i muajit shkurt të jetë përmbyllur e gjithë procedura ligjore nga ana e bankës dhe ata investitorë që ne kemi kontaktuar, një prej tyre të ketë guximin dhe të marrë atë rafineri për të zgjidhur njeherë e mirë problemin që ne kemi atje”, – shtoi Balluku.
Ministrja Baslluku tha se “shteti këtë e bën për përgjegjësinë sociale, por nuk kemi asnjë vendimmarrje të një natyre tjetër”.