BIRN: Një raport i Avokatit të Popullit e akuzon Policinë e Shtetit se ka shkelur të drejtat e njeriut me veprimet e saj për dëbimin me 1 janar të Harun Çelik drejt Turqisë.
Sipas një hetimi nga Avokati i Popullit, dëbimi nga Shqipëria me 1 janar i shtetasit turk Harun Çelik – një mësues 42 vjeçar i lidhur me Lëvizjen Hizmet të klerikut Fetullah Gylen, është bërë “duke shkelur të drejtat themelore të njeriut”, ndërsa policia nuk i ka marrë atij kërkesën për azil, nuk i ka dhënë të drejtën e ankimit, ndërsa urdhëri i dëbimit dhe ekzekutimi i tij janë bërë në kundërshtim me ligjin për të huajt.
“Për këto arsye, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se shkeljet e konstatuara të lidhura me të drejtat themelore të njeriut, të njohura prej dekadash nga aktet ndërkombëtare, e vendosin Shqipërinë në një pozitë aspak të favorshme, për më tepër në një moment kur kërkojmë integrimin e saj të shpejtë në Bashkimin Evropian”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.
Hetimi i Avokatit të Popullit ka vërtetuar dyshimet e ngritura më herët në media, përfshi urgjencën e paarsyetuar të dëbimit dhe dërgimin e Çelik në ambasadën turke në një ditë pushimi zyrtar.
Çelik një mësues i një shkolle të lidhur me lëvizjen Guleniste në Kazakistan, u arrestua në Shqipëri në korrik 2019 në Rinas ku u kap me një vizë kanadeze të falsifikuar.
Ai vuajti dënimin gjashtëmujor të dhënë nga gjykata për përdorim dokumentesh të falsifikuara dhe pritej të lirohej më 1 janar 2020. Por në vend që të lirohej, Çelik u nis me avionin e parë të linjës “Air Albania” për në Stamboll, ku qeveria turke e arrestoi si terrorist.
I pyetur për shkeljet e gjetura në raportin që i është dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, një zëdhënës i kësaj të fundit tha se “nuk kishte dijeni”, ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme nuk i ktheu përgjigje pyetjes së BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.
Një investigim i BIRN zbuloi se rrëmbimi i Çelik në Tiranë dhe përzënia e tij për në Turqi u krye pavarësisht thirrjeve të tij të dëshpëruara për azil. Ndërkohë zyrtarë të lartë përfshi Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj u munduan ta justifikonin depërtimin duke keqinterpretuar ligjin për të huajt gjatë daljeve të tyre publike.
Ndërkohë sëfundmi një grup pune i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndalimet Arbitrare i dërgoi qeverisë shqiptare një listë me pyetje mbi akuzat për rrëmbim personi dhe zhdukje, krime këto që aludohet se janë kryer nga struktura të caktuara shtetërore ndaj dy shtetasve turq, Harun Çelik dhe Selami Simsek.
Avokati i Popullit vë në dukje në raport një sërë shkeljesh të ligjeve vendase dhe konventave ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar dhe po ashtu ngre një sërë dyshimesh mbi procedurën e ndjekur dhe motivet pas saj.
Avokati i Popullit thekson se Çelik kishte thirrur duke kërkuar azil gjatë dëbimit dhe nënvizon se kjo ishte një formë e pranueshme e kërkesës sipas ligjit dhe duhej të ishte marrë menjëherë parasysh. Policia ka pretenduar se raportimet në media për thirrjet e Çelik për azil nuk kanë qenë të vërteta, por ka refuzuar t’i vej në dispozicion Avokatit të Popullit videot e shoqërimit të tij në aeroportin e Rinasit për të mbështetur pretendimin e saj.
Sipas përgjigjes që ka dhënë Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Tiranë, Çelik u dëbua më 1 janar pasi kishte “të dhëna se do të përdorë territorin e Republikës së Shqipërisë për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të tjera”.
Në urdhërin e dëbimit të cituar në raport po ashtu pretendohet se Çelik duhej të dëbohej menjëherë pasi ai “përbën kërcënim për rendin dhe sigurinë publike”.
Avokati i Popullit vë në dukje se një dëbim i tillë pa të drejtë ankimimi bëhej vetëm me urdhër të Ministrit të Brendshëm, i cili ishte autoriteti për të përcaktuar nëse një person ishte apo jo i rrezikshëm për sigurinë e vendit. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe Avokati i Popullit shprehet se as prokuroria që procedoi mësuesin për vizën false dhe as gjykata nuk kishin kërkuar diçka të tillë.
“Nuk rezulton as në akt e as nga shpjegimet ndonjë e dhënë e çfarëdolloji se shtetasi përbënte rrezik për sigurinë e vendit. Vlen të theksohet, se ky shtetas ka qenë i paraburgosur dhe se nuk ka pasur asnjë mundësi të ketë qenë larg survejimit policor,” thuhet në raport.
Po ashtu sipas hetimit rezulton se shtetasit Harun Çelik nuk i është mundësuar e drejta e ushtrimit të ankimit të këtij urdhri, e drejtë kjo e njohur në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin e brendshëm, përfshirë ligjin nr.108/2013 “Për të huajt”, të ndryshuar”.
Në raport theksohet se kjo është shkelje e të drejtës themelore për t’iu drejtuar gjykatës dhe për të pasur një gjykim të drejtë.
Sipas Avokatit të Popullit rreziku i pretenduar i largimit nga Shqipëria drejt një vendi të tretë në mënyrë të paligjshme mund të ndalohej duke e mbajtur azilkërkuesin në qendrën e mbyllur në Kareç dhe nuk ishte nevoja e dëbimit të tij.
Në përpjekje për të justifikuar veten policia i është referuar ardhjes së turkut në mënyrë të paligjshme në Shqipëri. Por nga hetimi një gjë e tillë nuk ka rezultuar.
“Është e qartë se prokuroria nuk ka konkluduar që një gjë e tillë të ketë ndodhur, pasi akuza për të cilin personi është gjykuar është një tjetër”, thuhet në raport, ndërsa duke iu referuar vlefshmërisë së pasaportës së Çelik shtohet se ajo konfirmon gjithashtu se “ai kishte hyrë në Shqipëri në mënyrë të ligjshme”.
Avokati i Popullit shprehet se fakti që Harun Çelik kishte hyrë në mënyrë të ligjshme në Shqipëri rrëzonte pretendimet e policisë se dëbimi i tij ishte i rregullt.
“Pra, nga vlerësimi i aktit të dëbimit rezulton qartë se ai nuk është bërë për një shkak të parashikuar në ligj”, thuhet në raport, ku ndër të tjera i rekomandohet Drejtorit të Përgjithshëm të Poicisë që të përmirësojë praktikën për trajtim të drejtë të shtetasve të huaj.
Po ashtu bëhet me dije se ndërsa Çelik ka pasur në dukje mundësi të shohë aktin e dëbimit në anglisht, ky i fundit nuk kishte kohë të përcaktuar të dëbimit, ndryshe nga akti në gjuhën shqipe që përcaktonte afatin 0 ditë. Po ashtu nuk është e qartë nëse ai e ka kuptuar atë që po firmoste duke qenë se akti përmban referenca ligjore dhe nuk është e qartë nëse i është bërë me dije e drejta për ta kundërshtuar.
Përndryshe Avokati i Popullit bën me dije se urgjenca e policisë dhe dërgimit i Çelik në ambasadën Turke për të marrë një dokument udhëtimi “ishte e çuditshme”, pasi pasaporta e tij ishte e vlefshme.
/BIRN/
Drejtor
Vladimir Muçaj
Kryeredaktor
Besim Dybeli
Gazetar(e)
Valjeta Krosi
Enkelejda Troka
Ymer Hysa
Fidalete (Ahmeti) Muçaj
Greta Hoxha (Kulturë & Marketing)