Policia e Fierit në bashkëpunim me prokurorinë vijojnë hetimet për zbardhjen e ekzekutimit të biznesmenit Demir Backa 57-vjeç.
Do të jetë e vështirë për grupin hetimor gjetja e provave, pasi makina është shkrumbuar nga flakët.
Demir Backa u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Fierit me 16 plumba. 57-vjeçari njihej ndryshe (Dem se Agim) Backa, ishte në makinën e tij tip “Audi”, kur një mjet tjetër u afrua pranë tij dhe zbrazën karikatorin e kallashnikovit 16 herë, ku disa nga plumbat e marrë në trup i shkaktuan edhe vdekjen pak orë pas ngjarjes.
Fisi Backa është me origjinë nga Kosova, por që prej vitesh jetojnë në Fier dhe se janë një nga tre më të pasurit në këtë qytet. Mësohet se një vit më parë fisi Backa ka pasur një konflikt me një grup nga Tirana. Shkak i konfliktit ishte bërë se njëri nga biznesmenët në Tiranë, kishte ngacmuar mbesën e Demir Backës. Nuk dihet nëse përplasja e ndodhur më parë ka ndonjë lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmë.
Ende nuk dihen motivet e ekzekutimit të Demir Backës, ndërkohë që në fshatin Daullas është gjetur e djegur një makinë, e cila dyshohet se u përket dy autorëve. Policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e tyre, teksa janë sekuestruar edhe kamerat e bizneseve afër vendit ku u ekzekutua 57 vjeçari.