Po deportohej nga Anglia dhe tha emër të rremë në Rinas, arrestohet 54 vjeçari nga Fieri: I dënuar me 16 burg për vrasje
54 vjeçari Adrian Hoxha (Haiz Hysa) është arrestuar mëngjesin e sotëm në Rinas pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje.
Sipas Policisë, është ndaluar në Rinas, në hyrje, për verifikim më të detajuar një shtetas 54-vjeçar i cili ishte kthyer deportiv nga Anglia. Në momentin e parë ky shtetas ka dhënë gjeneralitete të tjera duke bërë që punonjësit e Policisë të dyshonin për vërtetësinë e tyre.
Pas verifikimeve të thelluara në sistemin TIMS dhe dyshimeve të lindura gjatë pohimit të tij në kohën e intervistimit, si dhe pas shkëmbimit të informacionit mes Departamentit të Policisë Kriminale, autoriteteve policore angleze dhe DVP Fier, u bë i mundur identifikimi i gjeneraliteteve të vërteta dhe rezultoi se ai ishte shtetasi i shpallur në kërkim Adrian Hoxha (Haziz Hysa), 54 vjeç, banues në Siqecë, Patos, i cili udhëtonte si pasagjer i deportuar nga Anglia për në Shqipëri.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 17.04.1998, e ka dënuar këtë shtetas me 16 vite burgim, për veprën penale “Vrasja”. Adrian Hoxha (Haziz Hysa) në datën 30.01.1995, në fshatin Siqecë, Patos, ka vrarë me armë gjahu për motive të dobëta, shtetasin M. Z.