Gjiganti amerikan i teknologjisë, Apple ka prezantuar sot dy modelet e reja të smartfonit iPhone, 14 dhe 14 Plus.
Smartfoni i ri do të jetë i disponueshëm në pesë ngjyra, por në pjesën më të madhe iPhone 14 nuk do të ketë shumë ndryshim nga modeli i mëparshëm, si në dizajn dhe në përdorimin e të njëjtit çip.
Në versionin amerikan, iPhone 14 do të ketë eSIM, teknologjinë e re që eleminon nevojën për pasjen e një karte fizike celulare. Telefoni mund të konfigurohet me rrjetin përkatës brenda “Settings”.
Gjithashtu Apple ka njoftuar një sërë përmirësimesh në cilësinë e fotografive, kryesisht në ambiente me pak dritë.
iPhone 14 do të ketë mundësi të lidhet me satelitët në vende të largëta mungon sinjali celular, për t’u përdorur përmes satelitëve për një sërë veprimesh si kryerja e thirrjeve emergjente si dhe shpërndarja e vendndodhjes.
Një tjetër risi do të jetë “Crash detection”, që i lejon personave të njoftohen nëse poseduesi i telefonit është përfshirë në aksident, falë sensorëve të rinj brenda smartfonit, në mënyrë që ata të lidhen sa më shpejt me shërbimet emergjente.
iPhone 14 do të kushtojë 799 dollarë dhe 899 dollarë për versionin e madh që quhet Plus.