Nuk kam të drejtë dhe nuk është e moralshme të aludoj dhe paragjykoj ftesën e Kryeministrit Rama, drejtuar PDSH për bashkëpunim. Por është në të drejtën time si qytetar të analizoj dhe jap opinionin tim të argumentuar për pasojat, në rast nënshkrimi. E di, që shumë politikanëve nuk do tu pëlqej dhe, do ta quajnë cinike. Fanatikët, militantët dhe një grup tjetër, ku futen ata që zhuzhisin gjithë ditën si gjinkallat për politikën, por që nuk e njohin fare, do ta quanin tradhti, absurd humbje të identitetit të PD, nënshkrimin e një marrëveshje të tillë, por unë e shikoj më me gjakftohtësi, në një rrafsh më të gjerë dhe krejt ndryshe. Në këndvështrimin tim, bashkëpunimi pozitë- opozitë për probleme madhore Kombëtare, ç’tensionimi i atmosferës konfliktuale janë hapat e parë drejt krijimit të shtetit modern e të konsoliduar, të munguar në këto 30 vite. Përreth 3 dekada Shqiptarët kanë artikuluar qartë e me forcë endrën për Shqipërine Europiane. Krijimin e një shteti ligjor të standardeve Perëndimore.
Por fatkeqësisht zëri i tyre ka humbur në “shkretëtirë”, sepse politika Shqiptare ka rendur pas përfitimeve të pushtetit, dhe jo forcimit të shtetit. Shteti në kuptimin figurativ është një ” kështjellë” normash, rregullash, ligjesh, kontratash, marrëveshjesh, një ombrellë për të gjitha shtresat, institucionet dhe kategoritë shoqërore. Politika e gjertanishme , nëpërmjet konfliktit artificial e ka çnderuar pushtetin në një gjiriz korrupsioni dhe përfitimesh të padrejta. Mungesa e bashkëpunimit ka bërë që një grup politikanësh, militantësh e pushtetarësh , në harkun e këtyre 30 viteve, të majmen e fryhen si kepushat, ndërkohë që qytetarët braktisin vendin për shkak të dramës ekonomike. Pasuritë dhe asetet kombëtare janë grabitur dhe shitur në mënyrë mafioze. Dashakeqësia e politikës shqiptare për të mos konsoliduar shtetin e së drejtës, grindjet, përçarjet, tensionimi i qëllimshëm i klimës politike , e ka lënë Shqipërine jashtë derës së Familjes Europiane, familje së cilës i përket realisht. Politika shqiptare me koshiencë ka qëndruar larg portës së BE, duke i rënë njëra gozhdës e tjetra patkoit, pasi aderimi në të do ta limitonte shkallën e abuzimeve dhe korrupsionit.
Janë këto disa nga arsyet pse unë parimisht e quaj ftesën e Ramës një ogur të mirë. Si pikënisje për shkëputjen e politikës nga praktika 30-vjeçare e privilegjeve me pushtetin, dhe instalimin e konsolidimin e shtetit ligjor. Nënshkrimi dhe bashkëpunimi i sinqertë PS-PD për çështje madhore Kombëtare, si, krijimi i shtetit ligjor, strategjia e zhvillimit kombëtar, lufta lundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe atij ekonomik, pastrimi dhe forcimi i institucioneve, aplikimi i kulturës së ndëshkueshmërisë, divorcimi i drejtësisë nga politika, funksionimi i pavarur i 3 pushteteve, do të na hapnin dyert e BE dhe Shqipëria do të zinte denjësisht vendin që i takon në familjen e madhe Europiane. Ndaj unë e përshëndes dhe e quaj dorën e shtrirë të Ramës si një gjest të lartë në shërbim të progresit, zhvillimit dhe konsolidimit të vendit. Shqipëria vlen shumë më tepër se sa interesat e ngushta, inatet dhe lufta artificiale për pushtet e kujtdo politikani, pushtetari apo kushdo qoftë ai. Madje unë do ti kërkoja të gjithë aktorëve, politikës, shoqërisë civile, intelektualeve, atdhetarëve brenda dhe jashtë, zemra e të cilëve rreh për Shqipërinë, të nxisin, kuraje dhe kërkojnë nënshkrimin e një bashkëpunimi të tillë, si hapi i parë drejt një epoke të re, drejt krijimit të një Shqipërie moderne, me institucione dhe shtet të konsoliduar. Një marrëveshje e tillë do ta nxirrte vendin nga gjirizi ku intubimi prej 3 dekadash. Ta harroi cilido që mendon se Shqipëria mund të bëhet , dhe ëndrra Europiane do të realizohet pa bashkëpunimin e sinqertë të të gjithë faktorëve, politikës, organizatave dhe rrjetit të shoqërisë civile. Ja kemi parë hairin politikës konfliktuale, luftës së egër për pushtet. Koston e kanë paguar qytetarët, të cilët kanë larë me lot e gjak rrugët e emigrimit. Hemorragjia e shpopullimit të vendit tonë ndoshta është më e dhimbshmja, me dramatikja në botë. Politika shqiptare duhet të ndërroi mëndësin, të shkëputet nga interesat e ngushta dhe privilegjet e pushteti, të rrotullohet rreth boshtit të shtetit dhe interesave te zhvillimit të Shqipërisë. Boll jemi endur në shkretëtirën tragjik-komike 30 –vjeçare, ku njëra parti e quan kriminelin hero e tjetra heroin kriminel. Ku njëra i bie gozhdës e tjetra patkoit, njëra thotë ditë e tjetra natë. Boll me përdhosjen e së tashmes dhe baltosjen e historisë. Me dekorimin e njerëzve të rëndomtë dhe, ç’dekurimin e vlerave dhe figurave historike. Shqipëria ka nevojë për një politikë të re. Duhet të ndryshojmë dhe ti tregojmë botës se, ne nuk jemi gogoli Ballkanit, as njerëz me bisht siç na ka etiketuar gjuhë-urrejtja serbe dhe, as kombi jo shtet formues, artikulacion i artikuluar nga qarqet e errtë antishqiptare. Shtrëngoni dorën e bashkëpunimit për Shqipërinë Europiane, për shtetin e konsoliduar ligjor e modern, për mirëqenien dhe prespeoritetin e popullit, për të shuar njëherë e përgjithmonë plagët e përçarjes dhe konflikteve artificiale.