Agim Bajrami
Shkrimtar, kritik
Bota e pasur fëmijërore në faqet e një novele bashkëkohore
(Shënime mbi novelën “Të rendësh i lirë” të autorit Odise Plaku)
Pas disa sprovave të suksesshme në letërsinë për fëmijë, Odise Plaku i drejtohet botës së adoleshentëve me një novelë. Është një vepër me një subjekt të gjetur dhe konkret, ku filli narrativ mban të tendosur krejt vëmendjen tënde si lexues. Vepra shpërfaq haptas karakterin e shqetësuar të shkrimtarit si në rrafshin prindëror, ashtu dhe në atë shoqëror e njëkohësisht evidenton talentin e tij të padiskutueshëm për të trajtuar artistikisht tema të mprehta të ditës.
Një histori e zakonshme bullizmi, kaq shumë e ngjashme me histori dhe subjekte të marra nga realitetet tona shkollore, i ka dhënë shkas atij të shkruajë një vepër që është e denjë të udhëtojë në kujtesën tënde edhe shumë kohë pasi e ke lexuar. Kjo ngaqë autori i talentuar ka ditur si ta shpalosë dhe të depërtojë mjeshtërisht në lëkurën e problemit dhe të karaktereve që lëvizin brenda tij, por edhe të krijojë kundërvënie të fuqishme mes asaj që ekziston dhe asaj që duhet të jetë, më saktë mes propagandës së pushtetit dhe aktualitetit. Vepra tingëllon si një rrëfim i gjallë lirik për botën e bukur e të pafajshme të një fëmije, që është i detyruar të përballet me një areal cinik dhe aspak miqësor për moshën e tij në hapat e parë të jetës. Subjekti i gjallë i novelës, me plot të papritura dhe kthesa të befta, harmonizuar me një sërë mjetesh shprehëse, e detyron lexuesin që të mos e heqë lehtë nga dora këtë libër pa e çuar deri në fund. Është një vepër që dëshmon njohjen shumë të mirë që ka autori për problematikat e këtij brezi si dhe aftësinë e tij të lindur për t’u njësuar me ta.
Rritja dhe edukimi i brezit të ri me edukatë dhe moral të shëndoshë, larg kurtheve dhe të papriturave të pakëndshme që fsheh bota e errët e krimit dhe e shfrytëzimit të fëmijëve, ka qenë dhe mbetet një mision sa fisnik aq dhe i vështirë për çdo shoqëri njerëzore, aq më tepër për shoqëritë postdiktaturë të Europës Lindore, ku etja për para dhe fitime i ka shndërruar njerëzit në monstra. Ndonëse tematika të tilla janë lëvruar nga kënde të ndryshme vështrimore nga krijues të tjerë të talentuar shqiptarë, ndër të cilët spikatin romanet e Viktor Canosinajt dhe ndonjë tjetri, për këtë lloj problematikash ka gjithmonë vend për të shkruar. Pikërisht këtë gjë ka bërë Odise Plaku tek “Të rendësh i lirë”. Që në titull e kupton se kemi të bëjmë me shfletimin e një historie shumëplanëshe të një fëmije të penguar për të ecur në jetë dhe që në krye e kupton se me personazhet qendrore të kësaj novele ka diçka që s’shkon. Geri është një fëmijë që përballet në rrugën e tij të dijes me njerëz të padenjë dhe me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Duke pikturuar një pjesë të rrugës së tij autori ka pikturuar njëherësh edhe dekorin plot dritë-hije në të cilën krijon vetëdijen e tij personazhi. Ndonëse një fëmijë i frustruar, ai mbetet vazhdimisht i bukur dhe i pëlqyer. Për lexuesit tanë të vegjël gjakftohtësia dhe dinjiteti i qëndresës së bashku me larminë e botës së tij të brendshme fitojnë menjëherë simpatinë dhe dashurinë e lexuesve të vegjël. Geri është një dimension njerëzor që pëson ndryshime të herëpashershme në udhën e tij të rritjes. Duke qenë produkt i kohës dhe rrethanave të saj, ai është i gatshëm t’i afrojë asaj shumëçka nga bota e tij, por edhe ta kundërshtojë atë për veprimet dhe gjestet e saj të dhunshme. Kapitulli i fundit i novelës e tregon më së miri këtë. Autorin e kësaj novele e shqetëson pa masë shtimi i elementeve të dhunshme në radhët e të rinjve dhe puna jo e mjaftueshme e mësuesve dhe prindërve me ta. Për autorin një fëmijë i edukuar mirë është një qytetar i ardhshëm i vendit të tij, ndaj të cilit shoqëria duhet të tregojë kujdesin më të madh dhe të investojë. Në rastin aktual heshtja e shoqërisë ndaj dukurive negative është e pafalshme. Duke qenë një njohës i mirë i botës së fëmijëve, autori nuk e ka të vështirë komunikimin me ta, dhe pse jo edhe njësimin. Personazhi i Gerit me oshilacionet e tij shpirtërore dhe ndryshueshmërinë e gjendjeve është shumë i veçantë dhe i prekshëm. Po kështu kundërshtarët e tij të neveritshëm. Niku dhe Denisi për mua janë më realizuarit nga ana e autorit. Bartës të veseve me të ulëta dhe shpirtkatranë, ata krijojnë një njollë të zezë, që lëviz në mjedisin e kësaj novele dhe e turbullojnë hera-herës atë.
Subjekti i novelës është një ftesë për diskutim jo vetëm për lexuesit dhe nxënësit e shkollave, por edhe për punonjësit e arsimit dhe psikologët. Larg skematizmit dhe mbylljeve parafabrikate të veprave të shkruara shkel e shko këtyre viteve të tranzicionit, kjo vepër të bën përshtypje për narracionin e pasur dhe të fuqishëm. Autori përdor një gjuhë të thjeshtë, pa fraza të gjata e të lodhshme, por që është e aftë të karakterizojë besnikërisht tipa dhe karaktere të vërteta.
Aftësitë vizatimore janë një plus më shumë në këtë kontekst. Të bëjnë përshtypje në libër linja e Gerit dhe Odetës. Ata janë aq të ngjashëm në bukuritë e tyre shpirtërore, por dhe aq të ndryshëm kur është fjala për t’iu kundërvënë Denisit dhe Nikut, dy djemve më të prapë të shkollës. Karaktere të tilla mbjellin krenari te lexuesit e vegjël dhe i bëjnë ata ta identifikojnë veten me ta. Odeta karakterizohet nga një shpirt i bukur dhe ndjeshmëri të theksuar miqësore. Ajo vendos t’i dalë në krahë Gerit kur sheh se ai po cenohen nga djemtë e prapë të shkollës, Niku dhe Denisi. Përballja e saj është për t’u duartrokitur. Nga ana tjetër, Geri është më i përmbajtur e më i durueshëm se ajo. Këtë specifikë karakteri autori e motivon me faktin e dhunës së përditshme të ushtruar mbi të nga të tjerët. Për të kompensuar këtë, autori ka futur me takt e mjeshtri figurën e Odetës, shoqes së tij të klasës dhe së motrës Anisës. Fryma e bukur lirike dhe ndjenjat e pastra që karakterizojnë marrëdhëniet e tyre i japin më shumë emocion dhe buzëqeshje veprës. Me këtë linjë autori ka sjellë edhe një shenjë emancipimi dhe risie në këtë vepër bashkëkohore shqiptare për fëmijë, që deri më tash e ka pasur tabu evidentimin e marrëdhënieve dashurore mes fëmijëve dhe adoleshentëve.
Një nga dukuritë negative që ka karakterizuar tradicionalisht veprën për fëmijë, është artificialiteti i marrëdhënieve mes heroit dhe rrethit të tij shoqëror dhe veshja e tij me tipare dhe veti që nuk i përshtaten aspak moshës. Në këtë vepër mendojmë se kjo dukuri është kaluar me sukses. Libri ofron vërtetësi dhe psikologji të pastra fëmijërore. Të tilla gjëra autori është munduar të fusë edhe në personazhet kundërshtarë të Gerit apo shokëve të tjerë të klasës së tij. Ne mund të kishim pritur një tjetër fund të personazheve negative të novelës, por autorin e ka udhëhequr ndjenja e thellë humane ndaj një moshe të tillë kaq delikate. Atë nuk e udhëheq urrejtja, por logjika. Në trajtimin e tipave të vështirë shkrimtari ynë i ngjan Makarenkos. Unë nuk i shoh me qetësi veprimet e dy adoleshentëve perversë të tipit Denis dhe Niku, sepse, fatkeqësisht, mjediset tona janë të mbushura me tipa të tillë të padenjë. Megjithatë, veprimet e tyre edhe autori i sheh me sy kritik dhe nuk përton t’i tërheqë vëmendjen shoqërisë sonë indiferente se produkte të tilla njerëzore lindin dhe zhvillohen edhe për faj të saj.
Duke e ditur që kjo lloj letërsie konsiderohet edhe si letërsia me lexuesit më të shumtë në botë, autori e ka mprehur mirë lapsin e tij. Vepra karakterizohet nga një amplitudë narrative gjithnjë në rritje, plot skena dhe zhvillime interesante. Nga kapitulli në kapitull lexuesi ndjek veprimet e personazhit kryesor dhe të tjerëve, bashkohet me shqetësimet e tij, duke u bërë edhe ai një lloj protagonisti. Duke lexuar këtë novelë vetvetiu më vijnë në mendje personazhe të famshme të letrave tona kombëtare dhe botërore me protagonistë fëmijë të kësaj moshe. Janë personazhe që nuk të ndahen nga mendja qoftë nga mënyra e karakterizimit, qoftë nga problematikat që kanë sjellë ata, pasi bota e fëmijëve është kaq e pasur dhe e larmishme. Natyrisht që Geri edhe përkundër ndrojtjes së tij sjell një tip interesant në letrat tona për fëmijë së bashku me Nikun dhe Denisin. Ndonëse janë të pozicionuar në skaje të të njëjtit segment, ata janë të tre viktima të bullizmit. Kjo i shton dozat e dramaticitetit në vepër dhe një frymë ankthi të shoqëron në çdo faqe të saj. Autori ndjek një linjë lineare narracioni. Ai shmang sa të mund proliksitetin, duke u përqendruar tek e domosdoshmja, thelbësorja. Kjo i jep më shumë energji narracionit dhe e fokuson më shumë vëmendjen e tij tek objekti qendror.
Në vepër vërehet më së miri harmonizimi i disa komponenteve bazë aq të domosdoshëm për një vepër romaneske, siç janë fraza e shkathët dhe e punuar mirë dhe subjekti i prekshëm. Personazhet e kësaj vepre dinë mirë të orientohen mes hullive e ngjarjeve dhe të papriturave të jetës. Dinë të mbeten fëmijë dhe të manifestojnë botë dhe psikologji fëmijërore. Edhe atëherë kur mendon se e keqja ka triumfuar, veprën e karakterizon besimi për të nesërmen dhe bindja e patundur se botën e një fëmije, sado të mundohesh ta trazosh, nuk mundesh ta shëmtosh asnjëherë. Kjo e bën atë një vepër të pëlqyeshme për lexuesin, por edhe për kritikën letrare, çka është një shenjë e bukur se në letërsinë për fëmijë po afrohen krijues plot talent dhe të përkushtuar, siç është edhe Odise Plaku.