-Heqja e mandatit për Berishën/ Flet Kristaq Kume: KQZ të shqyrtojë me kujdes ligjin e dekriminalizimit, kam parasysh rastin e Tom Doshit…
Ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume, deklaroi ditën e djeshme se KQZ dhe institucionet të tjera, nuk po zbatojnë siç duhet ligjin për dekriminalizimin. Duke marrë shembull rastin e Tom Doshit, ai tha se edhe këtu KQZ nuk mundi të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, sepse ai përshtatet sipas situatave. Por, nëse ligji do forcohej dhe do ishte më specifik për personat e shpallur “non grata”, atëherë Berisha dhe shumë të tjerë rrezikojnë të drejtën për të qenë në Parlament. Në këto kushte ai tregoi se; ndalimi nga KQZ mund të bëhet nëse Berisha kalon nën hetimin e SPAK.
“Vendimi për hyrjen apo jo të Berishës në Parlament vendoset nga ligji. Por, së pari duhet parë mirë nëse e përfshinë apo jo ligji i dekriminalizimit këtë rast, nëse ligji e ndalon atëherë aq më keq për të gjithë ata që janë shpallur “non grata”. Kujtojë se, shpesh janë bërë përpjekje për ta keqinterpretuar këtë ligj edhe për të justifikuar pastaj hapësira e veprimit të tij në kushtet kur kandidati shpallet “non grata”. Kam parasysh këtu rastin e Tom Doshit, për të cilin pati një iniciativë nga KQZ për ta kualifikuar “non grata” si parandalim për të marrë pjesë në zgjedhje, por nuk i dha drejtim kësaj çështje. Kjo tregon që ligji është përdorur në interes të situatës politike”, deklaroi ai.
Sipas Kumes, në mënyrë që të shmangen këto devijime dhe që të merret vendimi i duhur mbi personat e dënuar për korrupsion, KQZ duhet që për çdo kandidat për deputet të verifikojë deklarimet e bëra mbi veprimtarinë dhe pasurinë.
“KQZ para se të nisë Parlamenti i ri duhet të bëjë verifikimin për çdo deputet. Duhet të kontrollojë formularët e vetëdeklarimit të tyre. Nëse do ishte e shprehur mirë në ligj dhe nuk do kishte ndërhyrje KQZ do të vepronte”, kështu shprehet Kume.