Humanizimi i jetës ndërkombëtare në veprimtarinë e Kombeve të Bashkuara
Dr. Luljeta Kodra
Pedagoge e të drejtës ndërkombëtare
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë!
Një prej hapave më të rëndësishëm që ka ndërmarrë njerëzimi në drejtim të humanizimit të jetës
ndërkombëtare ka qënë krijimi i Lidhjes së Kombeve. Iniciativat e para paqësore, që do të çonin
në krijimin e Lidhjes së Kombeve, mund të gjenden në Angli dhe SHBA menjëherë pas fillimit
të Luftës së I-rë Botërore.
Pas Luftës së Parë Botërore, filloi të lindte ideja e krijimit të një organizate ndërkombëtare, e cila
do të bashkonte shtete paqedashëse dhe do të sillte paqe dhe mirëkuptim midis kombeve. Statuti i
Lidhjes së Kombeve u miratua në prill të vitit 1919. Pas Luftës së Parë Botërore, në një kohë me
organizatën ndërkombëtare të asaj kohe – Lidhjen e Kombeve, u krijua Dhoma Permanente e
Drejtësisë Ndërkombëtare, si Gjykata e Parë Ndërkombëtare.
Qëllimi kryesor i Lidhjes së Kombeve ishte ruajtja e paqes, sigurimi ndërkombëtar, si dhe
zhvillimi i bashkëpunimit ndërkombëtar. Sipas nenit 10 të Statutit të Lidhjes së Kombeve,
“anëtarët e saj angazhohen të respektojnë dhe të ruajnë, kundër çdo sulmi nga jashtë, tërësinë
territoriale dhe pavarësinë politike të të gjithë anëtarëve të Lidhjes”. Përmbajtja e këtij neni
garanton “vetëmbrojtje kolektive” ndaj një agresioni. Megjithatë, gjatë viteve të ekzistencës së
Lidhjes së Kombeve “vetëmbrojtja kolektive” nuk gjeti zbatim në praktikë.
Lidhja e Kombeve, megjithëse vlerësohet si një eksperiencë pozitive, dështoi. Lidhja e Kombeve
e pushoi aktivitetin e saj pasi dështoi në ndalimin e Luftës së II-të Botërore. Pas shpërndarjes së
Lidhjes së Kombeve, në prill të vitit 1946, rradhën e kish Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Në vitin 1945, përfaqësuesit e 50 vendeve u takuan në San Francisko në Konferencën e
Kombeve të Bashkuara, mbi Organizatën Ndërkombëtare për të përpiluar Kartën e Kombeve të
Bashkuara. Karta u nënshkrua në 26 qershor 1945 nga përfaqësuesit e 50 vendeve. Polonia e cila
nuk përfaqësohej në konferencë, e nënshkroi atë më vonë dhe u bë një nga 51 shtetet anëtare
origjinale. Kombet e Bashkuara zyrtarisht filluan veprimtarinë e tyre në 24 tetor 1945, kur Karta
u ratifikua nga Kina, Franca, Bashkimi Sovjetik, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të
Amerikës dhe nga pjesa më e madhe e shteteve nënshkruese.
Organizata e Kombeve të Bashkuara përcaktoi si qëllim kryesor të saj “ruajtjen e paqes dhe të
sigurimit ndërkombëtar”. Për të realizuar këtë qëllim, neni 1 i Kartës së Kombeve të Bashkuara
parashikon marrjen e masave kolektive, të efektshme për të parandaluar dhe larguar rreziqet që
kërcënojnë paqen, ndalimin e çdo akti agresioni, si dhe zgjidhjen me mjete paqësore të çdo
mosmarrëveshje ose situate që mund të çojë në prishjen e paqes.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është organi i vetëm që merret me përcaktimin e
rasteve të kërcënimit, të shkeljes së paqes, apo të akteve të agresionit dhe vendos se çfarë
masash duhen marrë pë ndërkombëtare. Këshilli i Sigurimit është i
vetmi organ i Kombeve të Bashkuara, vendimet e të cilit për çështjet e paqes e të sigurimit
ndërkombëtar, janë të detyrueshme për të gjithë anëtarët e Organizatës.
Sipas dispozitave të Kreut V të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Sigurimit ka për
detyrë të hetojë për çdo grindje apo situatë që mund të shkaktojë konflikte ose mosmarrëveshje
ndërkombëtare; të kërkojë nga palët e interesuara që të zbatojnë masat e propozuara prej tij, për
ndalimin e keqësimit të mëtejshëm të situatës; të përcaktojë se çfarë masash, veç përdorimit të
forcave të armatosura, duhen zbatuar për realizimin e vendimeve të tij. Këshilli i Sigurimit ka të
drejtë dhe detyrë që të ndërmarrë veprime konkrete për ruajtjen e paqes dhe sigurimit
ndërkombëtar, duke vënë në përdorim edhe forcat ushtarake, kur ai e çmon të nevojshme këtë
masë.
Neni 42 i Kartës pohon: “Në qoftëse mjetet paqësore nuk kanë sukses në sigurimin e zbatimit të
vendimeve të Këshillit të Sigurimit, ai mund të ndërmarrë veprime nga ajri, deti ose toka si të
jenë të nevojshme për të ruajtur dhe rindërtuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
Fuqitë kryesore, që dolën fitimtare nga Lufta e Dytë Botërore, morën nga një vend permanent në
Këshillin e Sigurimit dhe bashkë me të edhe të drejtën e vetos, që do të thotë se asnjë vendim që
ka të bëjë me ruajtjen e paqes nuk mund të merret, po qe se vë veton qoftë edhe njëra prej këtyre
fuqive. Kështu shumë vendime të Këshillit të Sigurimit nuk u zbatuan pikërisht për shkak të
vetos së ushtruar nga anëtarët e përhershëm. Kombet e Bashkuara u bllokuan gjatë gjithë
periudhës së Luftës së Ftohtë, aq sa edhe konflikte të tilla si ai i Vietnamit nuk u futën
ndonjëherë në rendin e ditës të Këshillit të Sigurimit.
Përpjekje të shumta janë bërë ndërmjet dy luftërave botërore, për t’i bindur shtetet që të mos
përdornin forcën, përveçse për vetëmbrojtje. Akti i parë që arriti t’i jepte fund të drejtës së
përdorimit të forcës si mjet i politikës së jashtme të shteteve dhe i cili u nënshkrua nga të gjitha
fuqitë kryesore ishte Pakti i Parisit i vitit 1928.
Pas Luftës së Dytë Botërore, ndalimi i përdorimit të forcës, si mjet i politikës së jashtme të
shteteve, u kthye në normë ligjore nga Kombet e Bashkuara. Dy përjashtimet kryesore nga ky
ndalim i përgjithshëm janë: – e drejta e një shteti për të përdorur forcë në vetëmbrojtje, ose vetëmbrojte kolektive, sipas
nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe – e drejta e Këshillit të Sigurimit, sipas nenit 42 të Kartës, për të autorizuar përdorimin e
forcës, në mënyrë “që të ruhet dhe rivendoset paqja dhe siguria ndërkombëtare”.
Përveç parimit të mospërdorimit të forcës, në nenin 2/3, Karta e Kombeve të Bashkuara vendos
një parim tjetër themelor, atë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me mjete paqësore. Ajo pohon:
“Anëtarët e organizatës duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre ndërkombëtare me mjete
paqësore, në mënyrë që të mos vihen në rrezik paqja, sigurimi ndërkombëtar dhe drejtësia.” Kjo
nënkupton që përdorimi i forcës justifikohet vetëm aty ku nuk ka më mjete paqësore të vlefshme
për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, sepse shtetet janë të detyruara, sipas të drejtës ndërkombëtare
t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me mjete paqësore.
Neni 2/7 përcakton parimin e mosndërhyrjes në çështjet e brendshme. Ai parashikon që: “Asnjë
dispozitë e kësaj Karte nuk i autorizon Kombet e Bashkuara të ndërhyjnë në çështje që i përkasin
kryesisht juridiksionit kombëtar të një shteti, as nuk i detyron anëtarët të shtrojnë çështje të kësaj
natyre”.
Karta e Kombeve të Bashkuara në kapitullin VIII parashikon, që Këshilli i Sigurimit mund të
përdorë organizatat rajonale për aksione force nën autoritetin e tij. Sipas nenit 52/1: “Asnjë
dispozitë e kësaj Karte nuk përjashton ekzistencën e marrëveshjeve ose organizatave rajonale për
rregullimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ruajtjen e paqes dhe të sigurimit ndërkombëtar dhe
që parashikojnë një veprim me karakter rajonal, me kusht që këto marrëveshje ose organizata
dhe veprimtaria e tyre të jenë në përputhje me qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara.”
Pra, Karta e Kombeve të Bashkuara nuk përjashton mundësinë e veprimit të organizatave dhe
institucioneve rajonale, të cilat mund t’i shërbejnë ruajtjes së paqes dhe sigurimit ndërkombëtar.
Në aktet kushtetuese të organizatave rajonale si p.sh. Bashkimi Afrikan, Lidhja Arabe, NATO,
zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjes përcaktohet si një ndër qëllimet e tyre kryesore. Gjithsesi
vihet në dukje se nuk mund të ndërmerret asnjë aksion force pa marrë autorizimin e Këshillit të
Sigurimit. Kjo nënkupton se detyrimet në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara janë një
kategori juridike superiore në krahasim me detyrimet që kanë shtetet në bazë të traktateve
rajonale.
Kështu Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mund të ushtrojë të drejtën e tij për
ndërhyrje në dy mënyra. Ai mund të ndërhyjë vetë, duke mbajtur komandën operacionale, ose
mund të autorizojë një palë të tretë të ndërhyjë. Por duke qenë se Këshilli i Sigurimit varet nga
shtetet anëtare për kontribute në mjete dhe forca, ndërhyrjet e Këshillit nuk janë një detyrë e
thjeshtë.
Karta e Kombeve të Bashkuara, e nënshkruar në qershor 1945, në preambulën e saj përmban
zotimin e organizatës për të riafirmuar besimin në të drejtat njerëzore më themelore, ndërsa neni
1/3 pohon që qëllimet e Kombeve të Bashkuara janë “… të sigurojnë bashkëpunimin
ndërkombëtar në çuarjen përpara dhe inkurajimin e respektit për të drejtat njerëzore dhe liritë
themelore për të gjithë.”
Sipas nenit 55, “Kombet e Bashkuara duhet të mbështesin respektimin e përgjithshëm dhe
efektiv të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore për të gjithë pa dallim race, seksi, gjuhe dhe
feje”. Ndërsa sipas nenit 56, “Të gjithë anëtarët zotohen të ndërmarrin veprime të përbashkëta
ose të veçuara në bashkëpunim me këtë organizatë, për të arritur qëllimet e shpallura në nenin
55.”
Pra, promovimi dhe mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave njerëzore u bë një qëllim i Kombeve të
Bashkuara, pas Luftës II-të Botërore. Nenet mbi të drejtat e njeriut që përmban Karta e Kombeve
të Bashkuara shtruan rrugën për zhvillimin e të drejtës ndërkombëtare që fokusohet mbi
individin më shumë se mbi shtetin. Të drejtat njerëzore janë konsideruar një çështje që mbetet
jashtë juridiksionit ekskluziv të shteteve.
Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Njeriut në 1948 e zhvilloi më tej
çështjen e respektimit të të drejtave njerëzore dhe ndërkombëtarizimit të këtyre të drejtave, duke
e konsideruar respektimin e të drejtave njerëzore si të nevojshëm për ruajtjen e paqes
ndërkombëtare. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut nuk ishte e detyrueshme për t’u
zbatuar nga shtetet.
Për shkak të ndërkombëtarizmit të të drejtave të njeriut nga Kombet e Bashkuara si dhe të
rëndësisë së madhe që paraqet respektimi i të drejtave njerëzore që lidhet drejtpërdrejt me ruajten
e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, parimi i sovranitetit shtetëror dhe i mosndërhyrjes në punët
e brendshme të shteteve nuk zbatohen më në mënyrë absolute.
Parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme është zëvendësuar nga parimi që shkeljet masive
dhe të shumëpërhapura të të drejtave të njeriut ose të së drejtës ndërkombëtare humanitare që
burojnë nga aktet qeveritare ose konfliktet e brendshme dhe rëndësia e vuajtjes njerëzore që ata
shkaktojnë mund të përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Që nga koha e ndërhyrjes së NATO-s në ish-Jugosllavi, sovraniteti nuk është më diçka absolute,
por i kushtëzuar. Sot, kërkesa e një qeverie për sovranitet mund të varet nga mënyra se si
respektohen të drejtat bazë njerëzore të qytetarëve nga kjo qeveri.
Në vitin 1992 Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Butros Butros Gali nxori
dokumentin e titulluar “Një axhendë për paqen“. Ky dokument përmbante parimet kryesore mbi
të cilat Kombet e Bashkuara do të bazoheshin për të drejtuar diplomacinë parandaluese,
zbatimin e paqes, ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e paskonfliktit. Në thelb të “Axhendës për
Paqe” qëndron politika e përdorimit gjithnjë në rritje të forcës së Kombeve të Bashkuara dhe
rolit të saj në zbatimin e strategjive të reja. Kjo axhendë ishte parathënia e faktit që “koha e
sovranitetit absolut dhe ekskluziv ka kaluar”. Më shumë se kurrë më parë “Axhenda për Paqe”
konfirmoi të drejtën e Kombeve të Bashkuara për të ndërhyrë në një shtet, sipas kapitullit të VII
të Kartës, në emër të të drejtave të qytetarëve.
Çështja e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve nga ana e komunitetit ndërkombëtar kur qeveria e
këtij shteti është e paaftë ose e pavullnetshme për të realizuar detyrimin e mbrojtjes së qytetarëve
të saj, mori një formë të re në vitin 2001, kur Komisioni Ndërkombëtar mbi Ndërhyrjen dhe
Sovranitetin Shtetëror paraqiti raportin mbi “Përgjegjësinë për të Mbrojtur”.
Doktrina e “Përgjegjësisë për të Mbrojtur” kaloi në një fazë tjetër shumë të rëndësishme në vitin
2005, kur në Sesionin e 60-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara,
Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën mbi Përgjegjësinë për të Mbrojtur.