Zyra e qeverisë së Kosovës ka konfirmuar se Kryeministri Albin Kurti nuk do të jetë nesër i pranishëm në Samitin e Shkupit, ku do të takohen liderët e Ballkanit Perëndimor. Në një përgjigje për Euronews, zyra e kryeministrit tha se qëndrimet e tyre janë të qarta dhe iniciativa e quajtur “Mini-shengen” nuk e ka miratimin e tyre.
“Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘Minishengen’, tashmë janë të njohura. Kjo iniciativë nuk e ka miratimin tonë”, thuhej në përgjigje.
Nesër në Shkup pritet të mbahet samiti i Shkupit, nën drejtimin e Kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev. Në këtë takim do të mungojë Kosova, pasi kryeministri Albin Kurti e sheh këtë iniciativë si një lëvizje që i shërben më shumë Serbisë sesa vetë Ballkanit.