Pothuajse një javë nga zhdukja e minatorit Muharrem Plaku në minierën e Bulqizës, ka reaguar kryetari i Bashkisë së qytetit. Përmes një postimi në Facebook, Lefter Alla është shprehur i shqetësuar për gjendjen e 60-vjeçarit.
“I shqetësuar pafundësisht për situatën rreth kërkimeve të minatorit Muharrem Plaku. Çdo punë dhe angazhim i yni është për të mirën e qytetarëve tanë, por jeta e secilit prej tyre, në qytet apo në fshat, kudo qofë, vlen më shumë se gjithçka tjetër.Lutem që ekipet e kërkimit të arrijnë sa më parë tek Muharremi dhe ta nxjerrin atë shëndoshë e mirë, ta bashkojnë me familjen e të afërmit e tij, dhe t’i japin fund shqetësimit dhe ankthit që ka pushtuar të gjithë bashkëqytetarët tanë, e jo vetëm”, shkruan ai.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur 5 ditë më parë, ku një incident bllokoi 60-vjeçarin, ndërsa kolegët e tij u shpëtuan në kohë. Nuk dihet fati i tij, i cili prej ditësh po kërkohet nga ekipet e shpëtimit.