Një karburant në aksin rrugor “Plepa-Kavajë” ka sjellë prangosjen e nëntë zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar në Durrës. Prokuroria e Durrësit ka zbuluar detaje nga hetimet duke bërë me dije se gjithçka ka nisur nga aksidentet që ndodhnin në kilometrin 3 të aksit nacional, zonë ku edhe ndodhet pika e karburantit.
Ndërkohë që në kërkim është shpallur edhe biznesmeni, i identifikuar si Mustafa Koka, edhe pse emri i tij nuk është përmendur në asnjë rresht në njoftimin e Policisë. Sipas Prokurorisë, pas mbylljes së hetimeve, sot janë prerë urdhër-arrestet, për disa drejtorë dhe inxhinierë të ARRSH-së, të cilët akuzohen se me manipulimin e dokumenteve, i kanë shkaktuar shtetit një dëm financiar prej mbi 200 milion lekësh të vjetra.
Në pranga kanë përfunduar inxhinierët Agron Hasa, Kastriot Braha, Aferdita Basha e Dhurata Lazaj dhe anëtarët e Këshillit Teknik; Spartak Tarkaj, Astrit Zenelaj dhe Leke Tushaj. Nga blutë e Durrësit janë prangosur edhe Rezart Arkaxhiu dhe Xhevat Vataksi, por nuk dihet roli i tyre në dosjen e manipuluar të ARRSH-së.
Të gjithë akuzohen për ‘shpërdorim të detyrës’ dhe ‘dhënie të ndihmës për ndërtimin e paligjshëm’. Sipas hetimeve, karburanti i ndërtuar është shpronësuar me 200 milion lekë të vjetra pasi objekti ishte futur në planimetrinë e zgjerimit të rrugës. Duke përdorur dokumente të falsifikuara Mustafa Koka, i ndihmuar edhe nga zyrtarët e ARRSH-së, nuk ka prishur biznesin e tij por ka prishur barrierën e rrugës dhe ka krijuar hyrje-dalje të palligjshme për në rrugën kryesore.
Biznesmeni, për ndërhyrjen e paligjshme, ka argumentuar se sipërfaqja e tokës ku është ndërtuar rruga ishte ende në pronësi të tij, edhe pse rezultonte se ishte shpronësuar konform ligjit nga ARRSH-ja, disa vite më parë. Por biznesmeni nuk është ndalur me aq pasi disa metra më tutje ka ndërtuar një karburant tjetër.