Zonjat Kumbaro, Golemi e Dhima një treshe krenarie për vëllezrit tanë grek!💪
✍️ genc llakaj
Në politikë, sulmet më të ashpra nuk vijnë gjithmonë nga kundërshtarët, dihet! Paradoksalisht, goditjet më të hidhura lindin shpesh brenda të njëjtës familje politike. Aty ku mungon debati i ideve, nis psikologjia e rivalitetit. Dhe rivaliteti, kur ushqehet nga frika ndaj një figure që rritet, shndërrohet në goditje nën brez, në ironi provinciale dhe në përpjekje të vazhdueshme për të minimizuar tjetrin.
Sulmet ndaj Tërmet Peçit nuk janë rastësi, në Qarkun e Gjorokastrës. Sepse në politikë nuk merret askush me një njeri të parëndësishëm. Pemët pa kokrra nuk i gjuan askush me gurë. Goditen vetëm ato që japin fryt, vetëm ato që krijojnë hijen e tyre dhe vetëm ato që fillojnë të bëhen faktorë realë nën terren dhe mbi terren.
Dhe pikërisht këtu duket se nis shqetësimi i asaj që në jug tashmë po etiketohet me ironi si “treshja e konstruktuar” ose Trojka: Kumbaro, Golemi e Dhima. Një treshe që në perceptimin popullor duket sikur është instaluar me kujdes laboratorik në jugun e Shqipërisë nga “vëllezërit tanë grekë” të politikës së rafinuar ballkanike, ku buzëqeshja diplomatike shpesh fsheh ankthin ndaj figurave që krijojnë peshë reale në terren.
Por, problemi i tyre nuk është Tërmet Peçi si deputet. Problemi i tyre është Tërmet Peçi si fenomen njerëzor. Një njeri që ulet këmbëkryq me qytetarët, që pi kafe me njerëzit pa protokoll, që flet me gjuhën e rrugës dhe jo me fjalorin steril të zyrave me gravat. Në një kohë kur politika po prodhon gjithnjë e më shumë figura artificiale, të programuara për kamera dhe deklarata, Tërmeti vazhdon të mbetet “babaxhani” i terrenit — dhe kjo i shqetëson më shumë sesa çdo sondazh partiak.
Pasi kur një politikan nuk ka më nevojë të luajë rolin e aktorit dhe fillon të funksionojë si faktor, atëherë nis alarmi brenda vetë strukturës. Dihet! Aktori duartrokitet përkohësisht; faktori tolerohet me vështirësi. Aktori mbahet në skenë; faktori krijon gravitetin e tij politik. Dhe graviteti nuk kontrollohet kollaj. Edhe kjo dihet!
Në këtë kuptim, sulmet e vazhdueshme ndaj Tërmet Peçit ngjajnë më shumë me një mekanizëm mbrojtës sesa me një debat politik. Kur nuk arrin ta mundësh dikë me afërsi njerëzore, përpiqesh ta konsumosh me thashetheme, me baltë dhe me intriga të vogla korridori.
Por historia politike shqiptare ka treguar gjithmonë një gjë: figurat që sulmohen më shumë nga brenda janë zakonisht ato që kanë filluar të krijojnë ndikim përtej zyrës. Dhe kjo është arsyeja pse goditjet ndaj Tërmet Peçit nuk duken si shenjë dobësie e tij, por si shenjë pasigurie e atyre që e shohin si njeri të afërt me popullin dhe si kërcënim për ekuilibrat e tyre të brendshëm për në vazhdim.
Por, politika ka një ligj të pashkruar: kur fillojnë të të godasin të gjithë njëkohësisht, do të thotë se ke pushuar së qeni aktor dhe ke filluar të jesh faktor!
Madje, peshat politike nuk i sulmon urrejtja, por i sulmon frika! 😉














