Shqipëria prej vitesh është kthyer në një makineri “call center”-ash. Në fakt, mekanizmi i këtij biznesi erdhi nga Italia ku në fillimet e kësaj pune ishin pronarët italianë që shfrytëzonin krahun e lirë të tregut të punës në Shqipëri pikë së pari dhe më pas edhe mundësinë e korrupsionit për çështje taksimi.
Por, me kalimin e kohës dhe kur pronarët italianë e kuptuan se ky treg po kapet edhe nga shtetas shqiptarë, ata i deleguan kompanitë ose disa prej tyre edhe i zhvendosen për të njëjtat arsye në vende si Rumania dhe Bullgaria. Mirëpo prej më shumë se tri vitesh, janë disa shtetesh që bëjnë ankesa që po mashtrohen nga shqiptarët që punojnë në “call center”-a.
Pas Gjermanisë që dërgoi në vendin tonë një grup ekspertësh të fushës në fillimin e këtij viti, duke dëshmuar se janë me mijëra gjermanë që janë mashtruar, më pas dolën në skenë edhe Spanja dhe Franca. Pas tyre vjen edhe Italia, vendi që i instaloi në Shqipëri këto forma biznesi dhe tashmë ankohet dhe kërkon që të ndalohet një qendër nga e cila janë mashtruar me mijëra shtetas të tyre.
Operacioni i përbashkët
Rreth 1200 italianë kanë rënë pre e mashtrimit online për të investuar në bursa. Skema e cilësuar mjaft komplekse nga autoritetet italiane dhe SPAKu tregon se paratë e përfituara nga mashtrimi online i shndërronin në kriptovaluta.
Nga hetimi i kryer kanë rënë në pranga pronari i një “call center”-i në Tiranë dhe 2 persona të tjerë. Ata janë identifikuar si Elisa Caci, Valbona Abedinaj dhe Gilberdo Pushani.
Ndërkohë, 5 të tjerë janë në kërkim në Shqipëri. Qendrat e “call center”-it kishin marrë kontakte të 90 mijë personave, por autoritetet kanë kryer përgjimet e rreth 42 mijë telefonatave. Ata i bindnin viktimat që të investonin për blerje aksionesh në “Amazon” dhe më pas për hedhjen e parave në kriptovalutë.
Pastrimi i shumave të parave të vjedhura në vende të ndryshme anëtare të BE-së, përfshirë Qipron, Lituaninë, Estoninë, Holandën dhe Gjermaninë, shndërrohej në kriptovaluta. Hetimet kanë filluar pas denoncimit të bërë në Policinë e Postë-Telekomunikacionit në qytetin e Pordenone.
Në bashkëpunim me SPAKun në Tiranë, u realizua operacioni “Fitimi i Ëndrrave” në rajonin Friuli-Venezia-Gulia dhe u sekuestruan 2 pika “call center”-ash në Tiranë me mbi 60 stacione pune të pajisura me kompjuter dhe dy serverë të lidhur me të gjitha stacionet e punës. Pasi u pikas mashtrimi, nisën hetimet nga prokurori italian Raffaele Tito në koordinim me Eneid Nakuçi nga SPAK-u.
Vlera prej 3 milionë euro mendohet të jetë vetëm “maja ajsbergut”, pasi vetëm analiza e sistemeve kompjuterike të sekuestruara do të mund të përcaktojnë shumat reale të pastrimit të parave të përfituara nga mashtrimi në kriptovaluta. Serveri është gjetur në Itali në sistemin “Aruba”.
Si kryhej mashtrimi
Hetimet nisën pas një denoncimi të bërë në Policinë e Pordenones në Itali, që zbuluan skemën komplekse të mashtrimit përmes “call center”-it online. Operatorët përdorën pandeminë për të krijuar besueshmëri te klientët dhe flisnin për orë të tëra derisa i bindnin që të investonin 250 euro për të blerë aksione në “Amazon”. Trefishimi i fitimeve është vetëm kurthi i parë që i bëhej viktimave. Atyre i thuhej se fitimet do të shumëfishoheshin akoma më shumë me futjen e vaksinave anti-COVID në treg.
Pas kësaj, i bindnin të shndërronin paratë në kriptovalutën “Bitcoin”. Grupi kriminal kishte depërtuar aq thellë te klientët, sa në disa raste ka përdorur në distancë kompjuterët personale të tyre për t’i ndihmuar në kryerjen e transfertave të parave, nëpërmjet një softueri të quajtur “Anydesk”.
Mashtruesit s’mjaftoheshin me kaq, kontrollonin email-in, fotografi dhe dokumente për të pasur në dorë viktimën nëse hezitonin të bënin investime. Sa herë e hasnin këtë bëheshin agresiv dhe përdornin dokumentet, duke i kërcënuar që të investonin. Në raste të tjera, viktimat i jepnin kredencialet e aksesit në shërbimet bankare për të shpejtuar kryerjen e investimeve.
Kur “viktimat” kërkonin të tërhiqnin fitimet, mashtruesit përdornin justifikime të ndryshme, ndër të cilat thoshin se duhej paguar një komision për zhbllokimin e fondeve një agjencie të BE-së për shkak të Brexit. Këto shuma kalonin në llogaritë e grupit kriminal që nuk e kthente mbrapsht fitimin fillestar.
Si përdoren paratë?
Prokurori italian sqaroi se rikuperimi i parave përmes “Bitcoin” është tepër i vështirë të arrihet. Raffaele Tito u shpreh se deri tani, nuk rezulton asnjë italian i përfshirë ndonëse nga përgjimi i telefonatave kuptohet qartë se bisedimet bëheshin në italisht. Prokurori italian ka bërë me dije se serveri që u përdor për skemën e mashtrimit online për investim në bursa u gjet në sistemin “Aruba”.
Hetimet kanë zgjatur rreth 1 vit, ndërsa aktiviteti për mashtrim ka nisur prej vitit 2019. “Serveri u gjet në sistemin ‘Aruba’ dhe shtetas italianë nuk rezultojnë të jenë të përfshirë, edhe pse ka mundësi që mund të jenë. Sepse bisedimet bëheshin në italisht dhe ka mundësi që një pjesë e tyre të jenë italianë.
Por kemi besim se do t’i zbulojmë. Edhe pse është shumë e vështirë nga ana informatika.
Deri tani ka qenë një super sukses falë agjentëve të policisë postale që gjetën fiks vendin fizik ku ata qëndronin”, tha Raffaele Tito. Ai ndër të tjera u shpreh se ka një numër vendesh të përfshirë pasi llogaritë janë në vendet e lindjes.
Prokurorët shpjegojnë se është e vështirë të gjendet ku kanë shkuar këto para pasi funksionojnë me skemën “non banking”.
“Ka një numër vendesh. Problemi nuk është në emër të kujt është numri i llogarisë por kush i përdor. Nëpërmjet ‘non banking’ unë mund të hap llogari në emër të personave të tjerë ndërkohë që është tjetër kush që i përdor. Bankat jo gjithmonë i dinë. Shumë nga këto llogari janë nga vendet e lindjes ku kontrollet janë më të vogla. Ka emra, për shembull, të shtetasve ukrainas që jetonin në Izrael, por a janë ata me të vërtetë personat që i lëviznin paratë?”, thanë prokurorët.
Eneid Nakuçi: Mendohet se janë përfituar 3 milionë euro
Edhe prokurori Eneid Nakuçi ka dhënë detaje për skemën e mashtrimit të italianëve për të investuar për blerjen e aksioneve në “Amazon” dhe më pas në “Bitcoin”.
“Mendohet se grupi ka mashtruar një numër të madh qytetarësh italianë. Në shifra paraprake mendohet se janë dëmtuar deri në 3 milionë euro, por shifra mund të jetë është më e lartë. Hetimet kanë nisur pas denoncimit në Itali dhe ka dalë skemë mashtrimi mjaft komplekse. Viktimat telefonoheshin dhe bindeshin për të investuar në shifra të vogla dhe më pas transformoheshin në fitime të mëdha.
Disa prej viktimave kanë parë se investimet e tyre janë trefishuar në pak ditë dhe e bënin akoma më të besueshëm investimin. Kanë qenë të bindur në hedhjen e qindra mijëra eurove jashtë dhe brenda vendit. Mashtruesit ishin mjaft të afërt me viktimat.
Bisedat ishin për emergjencat e pandemisë dhe situatat e viktimave duke shfrytëzuar dhe vetminë e shkaktuar nga situate e pandemisë dhe vetëofroheshin si miq. Viktimat ishin grupmosha të ndryshme, shtëpiakë, banues në Itali. Propozimi bëhej për blerjen e aksioneve në ‘Amazon’ në vlerën 250 euro dhe fitimit brenda 1 jave. Më pas, i bindin për investim në kriptovalutën në ‘Bitcoin’.
Sipas tyre, investimi do të rritej pas futjes së produktit të vaksinave në treg. Grupi kriminal kishte arritur të krijonte ‘call center’ me role të ndryshme. Kishte operatorë që kontaktonin me klientët dhe ndiqnin hap pas hapi viktimat. Besnikëria e klientit ishte efikase sa viktima në pjesën më të madhe të rasteve e ka lejuar të përdorte në distancë kompjuterin personal dhe bënte transfertat e parave.
Mashtruesit s’mjaftoheshin me kaq, kontrollonin email-in, fotografi dhe dokumente për të pasur në dorë viktimën nëse hezitonin të bënin investime. Sa herë e hasnin këtë bëheshin agresiv dhe përdornin dokumentet për t’i bindur që të investonin. Në raste të tjera, viktimat me vullnet të lirë i jepnin kredencialet e aksesit në shërbimet bankare për të shpejtuar kryerjen e investimeve.
Të shumta ishin arsyet sa herë që viktimat kërkonin të tërhiqnin fitime të rreme. Ndër to ishin pretendimi për të paguar një komision për zhbllokimin e fondeve një agjencie të BE-së për shkak të Brexit. Këto shuma kalonin në llogaritë e grupit kriminal që nuk e kthente mbrapsht fitimin fillestar. Paratë e viktimave shndërroheshin në kriptovaluta që të bëheshin të pagjurmueshme. Grupi do të zgjerohej dhe “call center”-i do të zhvendosej”, tha Nakuçi.