Në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e Bashkisë së Himarës, pjesëmarrja e votuesve ka arritur në 17.36% deri në orën 11:00 të mëngjesit.
Procesi zgjedhor ka nisur në orën 07:00 dhe do të vazhdojë deri në orën 19:00. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka raportuar se identifikimi i zgjedhësve bëhet përmes pajisjeve elektronike dhe deri tani nuk janë raportuar probleme.
Në këto zgjedhje, qytetarët e Himarës do të zgjedhin mes dy kandidatëve: Vangjel Tavo nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikuria nga koalicioni opozitar. Numri total i qytetarëve me të drejtë vote është 23,074.