Zbulohet lloji i pistoletës që u gjet afër vendit ku u vra Klodian Rasha, brenda kishte 3 fishekë.
Ekspertiza ka zbuluar se pistoleta e gjendur afër vendit ku u vra 25-vjeçari Klodian Rasha, është tip “Zoraki”.
Sipas informacioneve për mediat, arma kishte 1 fishek në fole e 2 fishekë në karikator.
Mësohet se arma që u gjend në pellg me ujë është sportive. Mësohet se arma mund të shitet në tregun shqiptar kundrejt shumës 120 mijë lekë të vjetra.
Grupi hetimor ka kërkuar kryerjen ekspertimit të ADN-së, duke marrë profile pështyme nga viktima Klodjan Rashës, efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj dhe nga punonjësi i policisë, që gjeti armën.
Si ndodhi ngjarja:
Kamerat e sigurisë të një servisi pranë rrugës ku u vra Klodian Rasha më datë 8 dhjetor, tregojnë se 25 vjeçari është qëlluar nga 5 metër largësi. Kështu shkruajnë në dosje prokurorët që po merren me këtë çështje.
Sipas tyre, Klodian Rasha ka qenë duke vrapuar kur është qëlluar nga mbrapa nga efektivi i Shqiponjave Nevaldo Hajdaraj. Gazetari Elton Qyno shkruan se, kjo ka qenë arsyeja që prokurorët kanë vendosur të ndryshojnë sot akuzën për efektivin e Policisë, dhe për ta nxjerrë para togave të zeza për veprën penale “Vrasje me dashje” dhe jo “Vrasje në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme”.
Nga kamerat e servisit në rrugën ku u vra Klodiani, ka dalë se distanca mes viktimës dhe policit ka qenë shumë e afërt, 5 metra. Madje, nga to ka dalë se efektivi Nevaldo Hajdaraj nuk është rrëzuar dhe më pas ka qëlluar 25 vjeçarin në inertësi e sipër, por është shtrirë në tokë dhe është pozicionuar për qitje.
Pasi ka shënjuar “objektivin”, efektivi i Shqiponjave ka hapur zjarr dy herë në drejtim të tij.
Ngaqë distanca ka qenë shumë e afërt, njëri nga plumbat nuk e ka kapur Klodian Rashën por ka bërë rikoshetë në mur dhe ka përfunduar në qepenin e servisit, pamjet e kamerave të të cilit ka sekuestruar Prokuroria e Tiranës, bashkë me predhën e plumbit. Pasi ka “dalë bosh”, Nevaldo Hajdaraj ka shtënë për herë të dytë në drejtim të Klodianit.
Fatkeqësisht, plumbi i dytë ka qenë fatal për të riun pasi i ka hyrë pas shpine, nën brinj dhe në pozicion diagonal nga poshtë-lart, dhe i ka dalë në pjesën e përparme të trupit duke i prekur një nga arteriet kryesore pranë zemrës. Për pasojë 25 vjeçari ka ndërruar jetë.
Nga pamjet që kanë sekuestruar prokurorët, të cilat i citon gazetari Qyno, ka dalë dhe se Nevaldo Hajdaraj nuk është përleshur me Klodianin, siç tregonte efektivi tjetër në vendngjarje, por ngaqë ka qenë duke vrapuar, kur e ka marrë plumbi ai është shembur në tokë dhe ka marrë goditje të tjera.
Pamjet filmike tregojnë dhe momentin kur trupi i Klodian Rashës dërgohet në spitalin e Traumës por fatkeqësisht pa shenja jete. Ketë fakt e konfirmon dhe procesverbali i mjekëve të Traumës, i marrë nga Prokuroria, në të cilin thuhet se ata nuk kanë mundur të bënin asgjë për 25 vjeçarin sepse ai kishte mbërritur pa shenja jete./newsboomb