Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar për vrasjen e efektivit të policisë, Saimir Hoxha në Lezhë, i cili ishte në krye të detyrës.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri ka shprehur tronditjen për ngjarjen, ndërsa thotë se nuk duhej që Policia e Shtetit të kishte një tjetër dëshmor. Çuçi thotë se autori do të marrë ndëshkimin më të ashpër sipas ligjit, ndërsa thekson se po bëhet gjithçka për ta kapur.
“I tronditur nga lajmi i kobshëm i vrasjes së oficerit të Policisë së Shtetit në Lezhë, Saimir Hoxha. Nuk ishte dashur që Policia e Shtetit të kishte një tjetër dëshmor në luftën e saj të vazhdueshme me paligjshmërinë. Dora e zezë që shtiu kundër tij do të marrë ndëshkimin më të ashpër sipas ligjit. Policia e Shtetit po bën gjithçka duhet në një operacion të gjerë për kapjen e autorit. Sado të kërkoj me kujdes fjalët për të shprehur ngushëllim për familjen Hoxha, zor se mund të gjej të atë të duhurën për të zbutur sadopak peshën e rëndë të këtij akti kriminal. Kurajo dhe forcë brenda vetes! Lufta me krimin është e vazhdueshme dhe kurrsesi që ne nuk do të dorëzohemi përballë askujt. Kurrë!” ka shkruar Çuçi.