Dhurata Saliaj dhe babai i saj, Mexhit Picari kanë dalë sot para gjykatës Penale të Tiranës ku është zhvilluar seanca gjyqësore në ngarkim të tyre dhe prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Sot para gjykatës, fëmijët e çiftit kanë rrëfyer për situatën e rëndë që përjetonin prej muajsh me të ëmën. Vajza e Kudretit dhe Dhuratës ka treguar në gjykatë edhe shenjat e dhunës në trup dhe kërcënimet e njëpasnjëshme se në rast se do të tregonte për mesazhet që e ëma kishte me burra të tjerë, atëherë ajo do i mbyste me litar ose do i hidhte nga ballkoni.
Ndërkohë që Dhurata Saliaj, në rrëfimin e saj në prokurori ka thënë se në ditën e vrasjes, i ati i ka kërkuar që të rrijë e qetë. Dhurata tregon se para se i ati të vriste Kudret Saliajn, ajo ka menduar se ai po shkonte në tualet. “Mendova se babi u çua nga tavolina dhe ka shkuar në tualet. Dëgjova krismat dhe pastaj s’kuptova gjë. Ika në shtëpi me taksi, atje erdhi policia”, -ka rrëfyer Dhurata itinerarin e saj pas vrasjes, ku bie në sy gjakftohtësia e saj për të mos parë çfarë ndodhi me njeriun që kishte ndarë 20 vite të jetës së saj.
Ndërkohë që një tjetër pistë është zbuluar pas rrëfimit të autorit, se mes viktimës dhe familjes Picari ka patur probleme edhe për financat. Mexhit Picari pretendon se e bija, Dhurata ka patur florinj, në banesën ku jetonte me Kudretin. Pasi viktima i ka nxjerrë rrobat dhe sendet personale, pasi e akuzonte për tradhti bashkëshortore, Mexhiti ka rrëfyer se florinjtë nuk i janë kthyer të bijës.
Ngjarja e rëndë ndodhi 3 ditë më parë në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës, ku Mexhit Picari qëlloi për vdekje dhëndrin e tij, Kudret Saliaj dhe plagosi avokatin e tij, Adriatik Camajn. Ky i fundit fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ngjarja ka ndodhur në mes të ditës në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës. Autori dhe e bija, janë të dy pas hekurave, pasi akuzohen për vrasjen e Saliajt. Prokuroria pritet të kërkojë sot në gjykatën Penale të Tiranës masën e sigurimit “arrest me burg”. Dhurata Saliaj, vajza e Mexhit Picarit u arrestua disa orë pas vrasjes, me akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e bashkëshortit të saj, me të cilin ishte në proces divorci.
Mësohen detaje të reja për vrasjen e Kudret Saliaj nga ish vjehrri i tij rreth 30 minuta para seancës gjyqësore. Kamerat e sigurisë kanë zbuluar se Dhurata Saliaj, e bija e Mexhit Picarit, ishte bashkëpunëtore në krimin makabër që tronditi Tiranën pak ditë më parë. Në pamjet që e siguruar, shfaqet i ati I cili zgjat dorën dhe merr armën nga çanta e saj. Më pas, Mexhit Picari dhe vajza e tij Dhurata Saliaj, kanë shkuar në lokalin ku ishte ulur viktima dhe e kanë vëzhguar për rreth 20 minuta. Në tavolinë me viktimën ishte avokati i çështjes, Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur dhe një psikologe. Autori dhe vajza e tij, kanë qenë në lokal në pritje të seancës gjyqësore.
Taksisti A.I., i pyetur nga grupi hetimor ka zbuluar bisedën që Dhurata Saliaj ka bërë me babain e saj në telefon. “Një vajzë e re rreth 30 apo 40 vjeçe ngriti dorën afër “Vasil Shantos” dhe më kërkoi ta çoja deri në Vorë. Ajo foli në telefon dhe tha ‘Baba , bëhu gati ndërrohu, merr rrobat e punës se po vij me taksi’”, u shpreh taksisti. Mbas krimit, kur Dhurata dhe i ati u larguan nga lokali ajo hodhi në kokë një kapuç të zi, dhe më pas, të dy babë e bijë u larguan veç e veç me taksi.
Detaje të reja kanë dalë pas hetimeve për vrasjen e Kudret Saliajt. Mësohet se në dosjen e prokurorisë thuhet se babë e bijë kanë organizuar vrasjen. Armën e krimit e kishte në çantë Dhurata Saliaj, e më pas ia ka dhënë babait të saj, i cili kreu krimin. Në të njëjtën tavolinë ku ishte viktima, ishte dhe Dhurata, psikologia dhe avokati. Dhurata u largua në të njëjtin drejtim me të atin. Autori i krimit e hodhi më pas armën në lumin Lana, e cila u gjet disa orë më vonë nga policia.
Ditën e nesërme në orën 9:15 Mexhit Picari dhe Dhurata Saliaj do të dalin para gjykatës për masën e sigurisë.