Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një nismë për të shpëtuar votimin me postë. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, do të mbledhë ligjvënësit për të votuar një ligj që mbron shërbimin postar amerikan.
Në një letër të publikuar së fundmi, Pelosi akuzoi presidentin, Donald Trump, se po bën fushatë për të sabotuar zgjedhjet presidenciale. Kjo erdhi pas paralajmërimit që lëshoi shërbimi postar amerikan “USPS” se miliona vota mund të mos arrijnë në kohë për t’u numëruar.
Kritikët fajësuan kreun e ri të “USPS”, një mbështetës i fortë i Trump, për ngadalësim të qëllimshëm të dorëzimit të votave. Një numër rekord personash pritet të votojnë me postë përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit për shkak të pandemisë.
Presidenti Trump vazhdimisht ka kritikuar votimin me postë duke thënë se do të sjellë rezultat të pasaktë, por ekspertët e konsiderojnë atë një metodë të sigurt.