Një çift që vodhi një sasi vere me vlerë 1.7 milionë dollarë nga një restorant spanjoll i vlerësuar me yll Michelin, është dënuar me katër vjet burg. Grabitja ndodhi më 27 tetor 2021 dhe ishte planifikuar në “detajet më vogla”.
Gruaja meksikane dhe i dashuri i saj, një shtetas rumuno-holandez, u larguan nga restoranti i famshëm Atrio , në Caceres, Spanja perëndimore, duke mbajtur 45 shishe verë të mbështjellë me peshqirë hoteli për të shmangur thyerjen, dhe të fshehura në çanta udhëtimi, sipas vendimit të gjykatës.
Sasia përfshinte dy shishe nga kantina franceze e verës Chateau d’Yquem – një nga viti 1806 që ishte renditur në menunë e verërave të Atrio për 350,000 € (371,000 dollarë) dhe një tjetër nga viti 1883 për 45,000 €. Shumë shishe të tjera nga kantinat e njohura të verës ishin nga vintazhet e viteve 1990 dhe 2000.
Çifti e kishte vizituar restorantin tre herë në muajt para grabitjes. Natën e vjedhjes, gruaja u regjistrua në hotelin e vogël luksoz Atrio ngjitur me një pasaportë të rreme zvicerane.
I dashuri i saj iu bashkua asaj më vonë, por nuk u regjistrua. Më pas ata patën një darkë me 14 pjata në restorant, e ndjekur nga një turne me guidë në bodrumin e verës, siç doli në gjykatë.