Vjedhja e dokumentave për pronat e Dhërmiut në Vlorë; policia dyshime ndaj bandës së tokave që drejtohet nga Helidon Gjikoka
Banda e tjetërsimit të pronave në zonën e Dhërmiut ka dalë jashtë kontrollit, duke arritur të depërtojë me armë në duar brenda zyrave të shtetit, e të vjedhin prej andej dosjet me dokumenta, që bëjnë fjalë për pronat në fshatin Dhërmi.
Territori i këtij fshati është bërë mjaft i lakmuar kohët e fundit, si për personazhe të lidhur me oligarkët që duan të ndërtojnë në bregdet, edhe për njerëz që kanë falsifikuar dokumentat për të tjetërsuar pronat e kushërinjve të tyre.
Tashmë policia, ka nisur hetimet duke marrë në pyetje punonjësin e sigurisë së Qarkut Vlorë, aty ku u vodhën dhe dosjet me regjistrat e formularëve Nr.6, dokumenta këto që përmbajnë të dhënat e sakta të kufitarëve dhe sipërfaqet e ngastrave të tokës.
Një nga bandat që vepron me hajdutë, korrupsion dhe musturlluqe të ndryshme është ajo e Ardian Mustës, ish-drejtorit të ALUIZNI në Vlorë; që ka masakruar të gjitha pasuritë e ligjshme që ndodhen në bregun e detit dhe zotërohen nga banorë të fshatit Dhërmi, por që çuditërisht janë vjedhur nga oligarkë e njerëz të lidhur me Mustën.
Pjesë e kësaj bande hajdutësh tokash e dokumentash është edhe Helidon Gjikoka, njeriu i cili ka gati një vit që i fshihet drejtësisë dhe vepron nga arratia nëpërmjet ‘veglave’ të tij që ka në Vlorë.
Për rastin në fjalë policia e Vlorës ka nisur hetimet, duke u përqëndruar momentalisht në verifikimin e kamerave të sigurisë, ku një person dallohet qartë se hyn qetësisht në institucion dhe në dorë mban një send që në dukje është pistoletë.
E habitshme se si ky njeri ka shkuar pikërisht tek zyra e administrimit të Tokave, duke shtuar se ai ka pasur informacion se ku ndodheshin dokumentat dhe se gjithçka mund të jetë kryer në bashkëpunim me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të këtij institucioni.
Për momentin policia ka ngritur disa dyshime dhe një ndër to është dhe grupi i vjedhjes së pronave me dokumenta false që drejtohet nga arratia nga Helidon Gjikoka.
Gjikoka mbahet si personi që ka vjedhur mjaft prona në zonën e Dhërmiut dhe kjo vjedhje tashmë është vërtetuar dhe nga prokuroria e Tiranës dhe ajo e Vlorës, ku disa prej anëtarëve të grupit të Gjikokës janë marrë të pandehur. Ndërsa vetë Gjikoka vijon të qëndrojë në arrati duke ju shmangur kërkimeve të policisë.