I bëri atentat burrit të kushërirës, Mitri Prifti nuk ia fali shpullën në mes të Lungomares Edison Begajt.
Mitri Prifti, 36 vjeç, është shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës si autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur tre muaj më parë në Kaninë, ku u tentua të vritej Edison Begaj. Nga të shtënat me pistoletë, ky person mbeti i plagosur.
Në njoftimin zyrtar për mediat, sot Policia bënte me dije se si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, veprimeve hetimore procedurale, si dhe provave ligjore (shkencore) të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, u bë e mundur shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit:
– Mitri Prifti, 36 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Pse tentoi të vriste 36 vjeçari burrin e kushërirës?
Mitri Prifti është një person për të cilin edhe më parë është shkruar në media. I riu është me profesion jurist dhe jeton në Tiranë, ku dhe është përfolur se ka qenë ndërmjetësues i një konflikti mes Emiljano Shullazit dhe Jani Zakës.
Por, çfarë e lidh atë me Vlorën? 36 vjeçari mësohet se është kushëriri i gruas së ndjerë të Edison Begajt. Pak ditë para plagosjes së këtij të fundit, më 29 maj 2021, Begaj dhe Prifti kanë qenë bashkë në një lokal në zonën e Lungomares.
Aty mes tyre ka nisur një konflik dhe Edison Begaj ka qëlluar me shpullë në mes të lokalit Mitri Priftin.
Ajo shpullë do të bëhej shkak që pak kohë më vonë juristi nga Tirana të vishej me rroba policie dhe të shkonte në shtëpinë e vlonjatit Edison Begaj, në zonën e Kaninës. Sapo Begaj mbërriti në shtëpi, 36 vjeçari i doli para dhe e qëlloi disa herë me pistoletë, duke e lënë të plagosur.