Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore dhe Ditët Europiane të Trashëgimisë.
Me rastin e 29 Shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore dhe gjithashtu në nderim të Ditëve Europiane të Trashëgimisë, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, organizuan një seminar dyditor.
Pjesa e parë e seminarit, me temë “Të gjithë të përfshirë”, u organizua në ambientet e pallatit të kulturës “Labëria”, në Vlorë. Përveç diskutimeve të personaliteteve të ndryshme të fushës së artit, kulturës dhe mjedisit, në këtë takim u prezantuan edhe bashkëfinancimet me Komunitetin Europian, për restaurimin e monumenteve të kulturës.
Pjesa e dytë e seminarit, u zhvillua në Teqen dhe Tyrben e Kaninës, ku për këto dy objekte, tashmë plotësisht të restauruara, Drejtuesi i D.R.T.K-Vlorë, Z. Orgest Feimi, kreu në mënyrë simbolike dorëzimin e çelsave të tyre, Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondit).