Vilat në Kodrën e Diellit dhe Gjirin e Lalzit do konfiskohen
Pasuri përrallash, njerëzia pret të kalojnë në arkën e shtetit. Të një shteti që nuk i rivjedh. Pra, ato do të konfiskohen, si një e një bëjnë dy.
Shkruan: Sokol Pepushaj
Vilat dhe banesat luksoze në Gji të Llalzit, Kodrën e Diellit, Mullet, Pezë, Surrel, janë miliarda dollarë pasuri nga djersa e vjedhur popullit në 28 vitet e fundit.. Ato, deri sot, ishin pronë e hajdutëve të pushtetit dhe politikës. Aty, në salltanetet e jetës së shfrenuar deri në kafshëri, jetonin bashkë të gjithë. Socialistë, biznesmenë, demokratë, trafikantë, LS-istë, drogmenë, republikanë, banditë, çamë, gangsterë, gjykatës, prokurorë, hetues. Secili respekton secilin, secili mbron secilin.
Aty, në lagjet e çudirave, ka miliarda pasuri ky popull.
Në pishina, për shëmbull, mund të gjesh kopshtin apo shkollën e munguar të kalamajve, urën e fshatit të Kukësit apo Dibrës, e deri semaforin e Shkodrës.
Diku, poshtë shatërvanëve me ngjyra Ylberi, ku fëmijë dhe gra të kupolës shkumohen me shampo e ferkohen me kremëra 300 euroshe, është spitali, ura, rruga apo ujësjellësi i Durrësit, Vlorës, Fierit, Korçës, kapelja e policit, banesat sociale, e deri ilaçet e Ilir Beqajt.
Vlera e vilave, e “varur” në kurriz të varfërisë së shqiptarëve, varion diku nga 600 mijë deri në 7 milion euro për çdonjërën.
Gjen aty aq shumë pasuri, sa nuk i takon askund në Botë.
Këto banesa luksoze, të grupuara në Kodrën e Diellit, në Gjirin e Lalzit, në fshatrat e pikat turistike të vëndit, përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Velipoja në Sarandë, janë dhjetëra miliardë dollarë pasuri.
Resortet me shumë yje kanë vlera të tjera. Ka resorte me vlerë ndertimi mbi 50 milion euro.
Hetimi i imët për gjithsecilin ndertim luksoz, nxjerr skandalin e madh, sesi është përfituar nga pushteti, duke vjedhur pasuri që nuk kanë shëmbull në Botë.
Ato vërtetë ekzistojnë, por tashmë nuk mund të mos u vëndoset shiriti i kuq si “prona kriminale”.
Ato, në fakt janë me shirit të kuq.
Pasuri përrallash, njerëzia pret të kalojnë në arkën e shtetit. Të një shteti që nuk i rivjedh. Pra, ato do të konfiskohen, si një e një bëjnë dy.
Po kush do ta bëjë, SPAK-u?
Spakasit kanë hallin e tyre. Edhe ata janë me vila dhe resorte luksoze.
Kreu i SPAK-ut, do ishte “turp” të mos ketë vile në Gji të Lalzit. Prona të majme kanë edhe shumë “analistë” që bëjnë zjarr “debatet” televizive për drejtësinë dhe konfiskimin e pronave milionëshe.
Hajdutët, thërrasin, ejani të kapim hajdutët.
Kjo ështa njëra anë e medaljes.
Ana tjeter, ajo që mendohet e dëshirohet nga çdokush, është pritshmëria që çdo ditë i afrohet kufirit të durimit.
Vilat luksoze në Kodrën e Diellit dhe Gjirin e Lalzit do konfiskohen…