Samiti BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Brdo të Sllovenisë nuk dha asnjë datë për konferencën ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe pse vetë kryeministri Edi Rama ishte shprehur më herët se nuk e priste që një gjë e tillë të ndodhte. Megjithatë mbajtja peng e Shqipërisë për integrimin në BE për shkak të vetos së Bullgarisë ndaj Shkupit, nuk ka kaluar pa debate në samit mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentin bullgar, Rumen Radev.
Vetë presidenti bullgar tha se “fshirja delikate” e identitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut duhet të ndalet para se Bullgaria të heqë veton e saj mbi negociatat e pranimit të Shkupit në BE. Presidenti bullgar foli me tone të ashpra ndaj Maqedonisë së Veriut, ku tha se Sofja këmbëngul në përgatitjen e një udhërrëfyesi me “garanci me shkrim” që Maqedonia e Veriut nuk do të ushtronte presion ndaj minoritet bullgar atje, që sipas Radev paskan frikë të vetëdeklarohen. Vetëm kur të arrihet kjo Bullgari premton të heq veton e saj për integrimin e Shkupit, dhe rrjedhimisht edhe Tiranës zyrtare, që po trajtohen në grup nga BE për hapjen e negociatave.
“Republika e Maqedonisë së Veriut nuk mund t’i shpëtojë katarsisit të saj. Për sa kohë që ky lloj” procesi i ringjalljes “(në Maqedoninë e Veriut) vazhdon, për sa kohë që bashkatdhetarët tanë i nënshtrohen një fshirjeje delikate të identitetit të tyre derisa të drejtat e tyre themelore të shtypen, dhe ata nuk janë integruar plotësisht në Republikën e Veriut Maqedonia së bashku me pjesët e tjera të popullsisë, nuk ka asnjë mënyrë që ne të themi “po” për fillimin e negociatave. Kjo nuk është as veto as ndalim i procesit; ne nuk duam më shumë sesa ajo që secili nga partnerët tanë evropianë, të respektojmë parimet dhe interesat themelore evropiane të secilit shtet anëtar të BE -së,” tha presidenti bullgar.
Pikërisht këtu mësohet se ka ndodhur edhe përplasja me Ramën, i cili gjatë fjalës së tij tha se “nuk ka shpresa që Bullgaria të kalojë ngërçin, dhe se sjella e saj po i merr frymën BE-së”. Rama tha gjatë fjalës në samit se “Bullgaria po mban peng jo vetëm Shkupin por edhe Tiranën dhe se kjo po dëmton edhe më shumë imazhin e BE.”
Përplasjet mes Ramës dhe Radev i konfirmoi edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
“Fola me Macron për një kohë të gjatë, pata një përvojë pozitive. Ata nuk na dhanë datë. Rama pati një diskutim me Radev dhe ishte për personat që kërkojnë nënshtetësi bullgare. Macron mbajti një fjalim pozitiv për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor”, tha Vuçiç në një konferencë për mediat pas mbylljes së punimeve të samitit.