Shifrat e INSTAT: Që nga fillimi i pandemisë, gati 10 mijë vdekje më shumë në Shqipëri
Ndonëse në tremujorin e dytë të vitit 2021, vdekjet ishin shumë më të ulëta në krahasim me janar-mars, kur kulmoi pandemia, sërish ato vijuan të rriteshin në raport me periudhën e para Covid-19.
INSTAT ka publikuar treguesit demografikë për tremujorin e dytë 2021. Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2021 rezulton 5.777, duke shënuar një rritje prej 7,3 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2020, kur sapo kishin filluar të ndiheshin efektet e Covid-19 në shëndetin e popullatës.
Në krahasim me mesataren afatgjatë të së njëjtës periudhë për 2016-2019, një kohë normale pa pandemi, jetët e humbura janë rritur me 14.4%, ose 729 persona më shumë.
Pandemia është lehtësuar ndjeshëm në tremujorin e dytë 2021, në raport me janar-mars të këtij viti, kur jetët e humbura u rritën me 52% me bazë vjetore dhe tetor-dhjetor 2020, kur rritja ishte 70% me bazë vjetore (krahasimi bëhet gjithnjë me mesataren përkatëse tremujore 2016-2019).
Nga fillimi i pandemisë, që efektet i dha duke nisur nga tremujori i dytë 2020, vdekjet shtesë janë rritur ndjeshëm në vend, në krahasim me mesataren para pandemike 2016-2019.
Sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor, për periudhën prill 2020 deri në qershor 2021, janë 9,953 vdekje më shumë në vend, në raport me periudhën përkatëse mesatare 2016-2019. Rritja është gati 37%. (shih grafikun: Rreth 10 mijë humbje jete shtesë që nga fillimi i pandemisë Vdekjet, Mesatarja tremujore 2016-2019-T II 2021).
Sipas tremujorëve, shtesa më e lartë e jetëve të humbura ishte në tremujorin e katër 2020 (+3,380) dhe të parin 2021 (+3,322). Pandemia filloi të japë pasoja në humbjen e jetëve që në tremujorin e tretë 2020 (+1,684), ndërsa efektet vijuan të ndiheshin dhe në pril-qershor të këtij viti (+729)- shih grafikun: Shtesa e vdekjeve sipas tremujorëve, në raport me mesataren përkatëse 2016-2019
Sipas qarqeve, në tremujorin e dytë të vitit 2021 (në krahasim me mesataren përkatëse 2016-2019), rritja më e lartë e jetëve të humbura ishte në Fier (+23%), Shkodër (+21.7), Tiranë (+19.7%), Gjirokastër (+19%).
Kukësi, Lezha dhe Dibra shënuan rënie, për herë të parë që nga fillimi i pandemsë, që luhatej midis 2.6-4.4 më pak se mesatarja e para-pandemisë.
MONITOR