Pasi rrafshoi malin, Salillari fiton tenderin nga Bashkia Dimal me 100 mijë euro më shumë në ofertë
Masakra mjedisore vijon të jetë gangrenë për banorët e Dimalit (ish Bashkia Ura Vajgurore), të cilët shohim dita ditës sesi firmat më të mëdha të ndërtimit në Shqipëri po rrafshojnë malin.
Dikur, zona ishte e gjelbëruar me pisha, por tani shikon vetëm gropa të mëdha dhe pluhur. Një nga firmat që operon në atë zonë është Salillari, e cila ka leje vetëm disa metra larg zonës së banuar.
Disa javë më parë, banorët e Lumasit në Kuçovë paditën kryetaren e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj për lidhje të ngushta me firmën Salillari. Madje, edhe ish-ministrin Blendi Klosi, i cili ishte i dërguari politik i PS-së në qarkun e Beratit.
Klosi nga njëra anë dhe në anën tjetër Kreshnik Hajdari, kryetari i Bashkisë së Kuçovës e Juliana Memaj, kryetare e Bashkisë së Dimalit, sipas denoncimit, po favorizonin Salillarin.
Memaj është kallëzuar edhe në SPAK për kanionin dhe ujëvarën e Sinecit, ndërsa vetëm disa javë pas këtij kallëzimi, Boldnews.al ka siguruar disa dokumente që tregojnë lidhjen e Salillarit me krerët e bashkive të vogla në qarkun e Beratit.
Sipas dokumenteve që disponon Boldnews.al, Bashkia e Dimalit ka shpallur fituese kompaninë Salillari në tenderin me objekt “rijonstruksion i rrugës Unaza e Re në lagjën 28 Nëntori”.
Në fakt, bëhet fjalë për lotin I, ndërsa në tender morën pjesë disa kompani. Alb Star ofroi 720 milionë lekë të vjetra, Ardmir 830 milionë lekë ashtu si bashkimi i operatorëve Fled, Shkëlqimi 07 dhe Grand Konstruksion.
Ndërkohë, sipas dokumenteve, kompania Salillari ofroi 820 milionë lekë. Sipas dokumentit, oferta më e ulët ka qenë e Alb Star, një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Shqipëri. Me këto rreshta nuk po tentojmë të mbrojmë këtë kompani, pasi edhe kjo firmë ka qenë në disa investigime të Boldnews.al, por po hedhim dritë mbi paratë publike.
Dhe s’janë pak, por rreth 100 mijë euro. Me kaq para, mund të bëhej një shkollë ose të rikonstruktoheshin disa të tilla. Madje, edhe Qendra Shëndetësore e zonës.
Memaj shkruan në dokumente se Alb Star është s’kualifikuar për shkak të mungesës së një certifikate të mënaxhimit të cilësisë ISO. Certifikatë ISO e menaxhimit të cilësisë dhe certifikata ISO e menaxhimit të sigurisë.
Por, si i ka fituar kjo kompani dhjetëra tendera të tjerë, ka këto certifikata? Apo si e ndërtoi Air Albania? Megjithatë, kushtet e punës në Dimal duhen vetëm “në letra”, pasi gjithkush që hedh vështrimin nga kodra apo shikon pluhurin që mbulon mëngjesin dhe darkën e kupton se punët në atë vend janë bërë për interesa të ngushta të disa firmave që operojnë për nxjerrjen e gurëve.