Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Kërcënimet dhe sulmet tronditëse me fyerje, sharrje dhe stigmatizime ndaj gazetarit sportiv Ervin Baku, janë agresion i egër ndaj lirisë individuale
Tiranë më 22.08.2024
UGSH është vënë në dijeni nga gazetari i njohur sportiv Ervin Baku se, ditën e enjte paradite, ka denoncuar në Policinë e Shtetit, pranë Drejtorisë Rajonale të Tiranës, në sektorin e antikrimit kibernetik, emra dhe persona të cilët në faqet publike online kanë gjeneruar një numër të madh fyerjesh, shantazhimesh, kërcënimesh dhe stigmatizimesh deri edhe agresionesh fizike, ndaj gazetarit për shkak të daljes së tij në një ekran me disa simbole serbe, të cilat u ndodhën një një bluzë të dhuruar kopegut, prej një traineri të një ekipi të njohur serb.
Gazetari Baku ka sqaruar publikisht se ky gjest, i pamenduar për domethënie apo ndjeshmëri provokative publike, ka pasuar me një situatë të pazakontë kërcënimesh, fyerjesh, sharrjesh dhe etiketimesh ndaj gazetarit.
Një ditë pas kësaj shfaqjeje në ekran, kolegu Baku, ka publikuar një deklaratë me kërkim ndjese për publikun masiv dhe për gjithë personat e prekur apo provokuar nga kjo pakujdesi, sikundër e cilëson vetë kolegu.
Por edhe pas këtij publikimi, rrebeshi i kërcënimeve, fyerjeve dhe sharrjeve vijojnë të “derdhen”, në adresë të tij dhe imazhit profesional.
UGSH vlerëson maksimalisht ndjesën publike të kolegut dhe sqarimin e sinqertë të tij. Ndërkohë që shpreh brengosjen e thellë për një vërshim të tillë masiv stigmatizues dhe intolerant ndaj kolegut tonë jo vetëm brenda Shqipërisë, por shumë më gjerë
UGSH shpreh solidaritetin e plotë ndaj kolegut Ervin Baku dhe vlerëson qasjen e tij përmes një ndjese bindëse publike.
Njohja prej anëtarësisë sonë e kolegut dhe sidomos veprimtarisë dhe ndjenjës së tij kombëtare, na bën më aktivë në solidaritetin për ndaljen e menjëhershme të këtyre sulmeve dhe mos vijimin e situatës agresive ndaj tij!
Kërkojmë nga autoritetet policore, në bashkëpunim me strukturat e tjera të sigurisë dhe mbrojtjes qytetare, të reagojnë energjikisht për ndaljen e kësi sulmeve dhe këtij agresioni. Kërkojmë vënien para ndëshkimit ligjor të agresorëve që shkojnë deri në kërcënimin e jetës së kolegut!
Është rasti që UGSH, si organizata më e madhe e gazetarëve në Shqipëri, të kërkojë dhe të pasohet me solidaritetin e organizatave të gazetarëve në Republikën e Kosovës dhe në Maqedoninë e Veriut, në emër të kolegut të kërcënuar.
Ne apelojmë dhe ndajmë qëndrimin tonë se kësi agresionesh, (shumica në hapësirën virtuale), duhet të ndalen dhe të mos shndërrohen në kryqëzata fanatikësh apo ekstremistësh në turmë, ndaj gazetarëve, aq më tepër ndaj një të tilli që respekton profilin profesional, atë të gazetarit sportiv.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë