Tritol autobusit të “Alba Shoes”? Punonjëset braktisin fabrikën, beu i këpucëve Nikolin Lleshi drejt falimentimit
Beu i këpucëve Nikolin Lleshi, i pandehur për skandalin e shitjes nga dy herë të apartamenteve në pallatin e paligjshëm në Krujë, mund të ketë marrë një mesazh nga rivalët e tij skllavo-pronarë dhe ndoshta viktimat e shumta të mashtrimeve të tij. Këto janë pamjet e autobusit të shkatërruar para fabrikës së këpucëve të Nikolin Lleshit. Ka dyshime të forta, se autobusin mund ta kanë hedhur në erë me një sasi tritoli, por nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë sulmi me mjete të forta.
Siç duket nga këto pamje, autobusi që transporton punonjëset është shkatërruar, me xhama dhe dyer të thyera. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë njoftim nga policia dhe gjithçka mbetet mister.
Ndërkohë, fabrikat e skllavërimit të Nikolin Lleshit po braktisen nga dhjetëra gra dhe vajza, për shkak të pagave qesharake dhe refuzimit të Nikolin Lleshit, për të zbatuar vendimin e qeverisë për pagën minimale, që në janar të këtij viti. Largimet masive janë intensifikuar në fund të muajit gusht, pas refuzimit të Lleshit për rritjen e pagës deri në 30 mijë lekë.
Qeveria ka vendosur përmes një VKM-je të posaçme, rritjen e pagës minimale nga 26 mijë lekë që ishte në 30 mijë lekë. Vendimi ka hyrë në fuqi më 1 janar 2021. Sipas këtij vendimi, askush në Shqipëri nuk mund të paguhet më pak se sa 30 mijë lekë ose 300 mijë lekë të vjetra në muaj. Por, dokumentet bankare, të cilat mund t’i sekuestrojë lehtësisht prokuroria apo organet e tjera shtetërore të ngarkuara për zbatimin e ligjit mbi pagën minimale, konfirmojnë se Nikolin Lleshi, ka vijuar t’i paguajë shumicën e grave dhe vajzave me 26 mijë lekë në muaj.
Jo vetëm kaq. Por, në fabrikat e këpucëve “Alba Shoes”, qindra gra dhe vajza punojnë edhe ditë të shtunë dhe të diel, në shkelje flagrante të kodit të punës. Gratë dhe vajzat detyrohen të punojnë për fundjavë me pagë qesharake, aq sa kushton larja në lavazh e një prej makinave të skllavo-pronarit
Në kushtet, kur institucionet e korruptuara publike nuk kanë marrë asnjë masë për zbatimin e ligjit, gratë dhe vajzat kanë nisur të largohen nga fabrikat e “Alba Shoes”, duke e çuar beun e këpucëve drejt falimentimit.