Tom Doshi në listën e zezë të DASH/ Kim mesazh të fortë qeverisë: Pse heshtni? A është e “dobishme” të heshtësh?
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri e vendosur për të mos lejuar angazhimin e krimit në fushatën zgjedhore; Yuri Kim tjetër mesazh kryeministrit Edi Rama pas moskundërshtimit të kadidaturës së kryetarit të PSD-së në zgjedhje.
Ambasadorja Kim zbarkoi dje në qytetin e Shkodrës, ku zhvilloi takime të ndara me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e 25 prillit, duke iu dhënë mesazhe të qarta në lidhje me fishatën zgjedhore dhe listën e zezë të DASH.
Pak ditë më parë zonja Kim iu bëri thirrje liderëve të partive politike që të kandidojnë në zgjedhje emra të pastër, ndërkohë që dje mësohet se dy drejtueseve politikë të partive kryesore në vend, ua ka bërë të qartë se personat me rekorde kriminale duhen mbajtur sa më larg fushatës dhe zgjedhjeve të 25 prillit. Mësohet se në takimin e djeshëm të zhvilluar në kryeqendrën e veriut, ambasadorja Kim ka “injoruar” partinë e presidentit Ilir Meta, pasi drejtuesin politik të LSI ka preferuar ta lërë kjashtë takimit.
Ambasadorja Kim reagoi dje në rrjetet sociale pas vizitës në Shkodër, duke bërë apel për zgjedhje të qeta dhe mbajtjen larg të personave me rekorde kriminale.
“Ishte një kënaqësi të kaloja sërish kohë me qytetarët e mrekullueshëm të Shkodrës, duke biseduar për gjërat që kanë rëndësi për ta, për çfarë shqetësohen, për çfarë shpresojnë për fëmijët e tyre. Biseduam se përse Shtetet e Bashkuara këmbëngulin për kandidatë të pastër dhe zgjedhje të pastra. Fola gjithashtu edhe për lidhjen midis Demokracisë, Mbrojtjes dhe Biznesit. Shpresoj të mund të sjellim më shumë investime amerikane në veri, por përpjekjet duhen bërë nga të gjithë. Njerëzit që u bënë ballë pushtuesve osmanë dhe luftuan diktaturën komuniste duhet t’i thonë JO armikut të ri: JO kandidatëve të korruptuar, JO blerjes së votave, JO dhunës politike. Qytetarët duhet të përdorin votat e tyre për të zgjedhur të ardhmen e tyre”, shkruan ambasadorja Kim.
Por paralajmërimet e diplomates amerikane nuk kanë munguar dhe në orët e vona. Yuri Kim ka bërë një thirrje të fortë për partitë politike në Shqipëri që ende nuk kanë dalë kundër kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 prillit, mesazh ky i drejtuar kreut të qeverisë Edi Rama.
Ajo pyet se nga çfarë kanë frikë partitë e tjera që nuk kërkojnë moskandidimin e kryetarit të PSD-së, që është shpallur “non-grata” nga SHBA.
“Ne shohim se PD dhe të tjerët nuk duan në Parlamentin shqiptar dikë të akuzuar nga SHBA për korrupsion. Të tjerëve: Nga çfarë keni frikë? A është e “dobishme” të heshtësh? Pse i lini njerëzit të mendojnë se jeni “aleatë”? A është kjo ajo që mendoni se e meritojnë votuesit? Shqipëria meriton më mire”, shkruan Yuri Kim.











