Hapet “Tokio 2020” me heshtje për viktimat e Covid, Shqipëria me sytë nga Briken Çalja.
Lojërat olimpike të pazakonta për shkak të pandemisë së shkaktuara nga Covid u hapën zyrtarisht përmes një ceremonie spektakolare, por me entuziazëm të reduktuar dhe një minutë heshtje në përkujtim të viktimave të virusit.
11 mijë sportistë nga 207 vende të botës parakaluan në stadiumin thuajse të boshatisur të Tokios me flamujt kombëtarë, mes tyre dhe 9 sportistët shqiptarë.
Shqipëria përfaqësohet nga Luiza Gega në atletikë, Matvei Petrov në gjimnastikën artistike, Manuela Deliaj në qitje, Indrit Cullhaj në xhudo, Kledi Kadiu në not, Briken Çalja në peshëngritje, Nikol Marizaj po në not, Izmir Smajlaj në atleltikë, kërcimin së gjati dhe Erkand Qerimaj në peshëngritje.
“Urimet më të përzemërta ekipit olimpik dhe shumë suksese sportistëve tanë në disiplinat respektive ku garojnë në Lojërat Olimpike Tokyo 2020. Jam e bindur që do të dalin faqebardhë si përherë, duke na bërë akoma më shumë krenarë për flamurin tonë kuqezi”, uroi përmes rrjeteve sociale ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.
I pari nga sportistët shqiptarë do të garojë gjimnasti Matvei Petrov, rusi i natyralizuar në shqiptar dhe i shpallur kampion i Europës pak javë më parë. Ai konkurron në gjimnastikë artistike dhe do të garojë më 24 korrik, ditën e dytë të Olimpiadës. Për këtë arsye ai ishte i pari që shkoi në Tokio. Petrov ka mundësi reale për të marrë një medalje.
Më 25 korrik garon qitësja Manuela Delilaj në disiplinën e pistoletës. Po këtë ditë garon edhe xhudisti Indrit Çullhaj, në peshën 66 kilogramë. Më 27 korrik është radha e notarit Kledi Kadiu. Por, shpresat më të mëdha për t’i dhënë Shqipërisë një medalje olimpike, siç e pohoi edhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, janë te peshëngritësi Briken Çalja. Ai do të garojë më 28 korrik, në peshën 73 kilogramë. Çalja është një pretendent serioz në peshën e tij për të fituar medalje, aq më tepër një nga rivalët e tij kryesorë, turku Ismailov, ka dalë pozitiv me doping dhe është skualifikuar.
Sa i takon ceremonisë së hapjes, ajo u ndoq prej vetëm 950 spektatorë në stadium, ndërsa ulëset ishin “manipuluar” me shumëllojshmëri ngjyrash, që të paktën nga ekrani të krijohej atmosfera e një impianti të mbushur plot.