Kujt ia “fali” Veliaj 6.1 mld lekë?! Ja kush janë 15 kompanitë që do ndërtojnë te “5 Maji”
Zbulohet lista e 15 kompanive që kanë fituar tenderin për ndërtimin e pallateve në zonën e 5 Majit në Tiranë. Në mesin e fituesve me një fond total prej më shumë se 6 miliard lekë spikasin operatorë ekonomik që kanë fituar shumë tendera për punë publike .
Edhe në këtë tender të zhvilluar nga bashkia tiranë vihet re se në fazën e dytë zhvilloi minikonkurse me ofertim në tryezë me operatorët e përzgjedhur dhe në 15 minikonkurse u njoftuan 15 kontrata të fituara sipas Ofertave.
Janë 15 kompani, të cilat janë shpallur fituese në tenderin për rindërtimin e njësive të banimit në njësinë administrative 4 dhe 5 në zonën e 5 Majit. Totali i vlerës së tenderave të kontraktuar arrin 6.1 miliard lekëve pa TVSH ose 50.3 milionë eurove. Sipas të dhënave të publikuara nga Open Data kompanitë e shpallura fituese për ndërtimin e pallateve në këtë zonë janë 15 . Disa prej tyre janë të njohura tashmë për shkak të numrit të lartë të tenderëve që përfitojnë për punët publike, si Salillari shpk., Alba Konstruksion apo Gjoka Konstruksion.
Nga lista shihet se bashkimi i operatorëve ekonomik Nova Construction 2012 shpk & Alesio 2014 shpk janë kompanitë që janë paguar më shumë me rreth 852.6 milionë lekë. Këto subjekte kanë fituar dy kontrata me Bashkinë Tiranë për rindërtimin e njësive të banimit në zonën e ‘5 Majit’.
Dy kontrata të tjera me vlerë rreth 661 milionë janë fituar nga bashkimi i 5 shoqërive Alb Shpresa shpk me Alb Tiefbau shpk, Egeu Stone shpk – Mela shpk dhe Infratech shpk.
Kompania Alb-Building shpk është gjithashtu fituese e 2 kontratave për rindërtimin e pallateve në zonën e ‘5 Majit’. Vlera totale e kontraktuar për këtë operator është 603.7 milionë lekë. Renditja vijon me bashkimin e 4 operatorëve Eurondërtimi 2000 shpk & Mane/TCI shpk & K.A.E.XH shpk & Mane/S shpk të cilët kanë përfituar 563.8 milionë lekë. Më pas vjen Geci dhe Salillari shpk.