Finalizohet nga Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar operacioni policor i koduar “Elektro”.
Iu vidhte kartat e identitetit pacientëve në spital, për t’i përdorur për kredi, vihet në pranga infermierja.
Në pranga edhe shitësja e një dyqani, e cila merte kredi në emër të pacientëve, për të blerë pajisje në dyqanin ku punonte.
Sekuestrohen pajisje të ndryshme elektroshtëpiake, me vlerë rreth 40.000.000 lekë.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë ka zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Elektro”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetaseve:
E. B., 39 vjeçe dhe O. H., 32 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë.
Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi A. H.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasja E. B., e punësuar si infermiere në spital, vidhte kartat e identitetit të pacientëve që shkonin për mjekim dhe më pas ia jepte shtetases O. H., e cila punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake Shtetasja O.H. i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi, me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte, të cilat transportoheshin nga shtetasi A. H. dhe më pas i shisnin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të metejshme hetimore.