Dhunohet brenda zyrës drejtoresha e Bashkisë së Tiranës, autori ishte punonjës i saj, arrestohet nga policia (Detaje)
Drejtoresha e Agjensisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës, Erinda Fino, është dhunuar brenda zyrës së saj. Autor i goditjes së Finos, është 34-vjeçari me inicialet M.P, që sipas burimeve është punonjës në varësi të Finos, dhe ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti që ata kanë pasur së bashku.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 arrestuan në flagrancë shtetasin M.P., 34 vjeç për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton zyrtarisht policia e Tiranës.
Ndërkohë 24 orët e fundit në Tiranë janë kryer një seri arrestimesh të tjera nga Policia ku janë ndaluar 8 shtetas gjatë aksioneve policore për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit D.P., 29 vjeç dhe L.K., 32 vjeç sepse gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtyre shtetasve, Forca e Posaçme “Shqiponjat” gjeti dhe sekuestroi sasi me lëndë narkotike kanabis.
Një tjetër ndalim është kryer nga Specialistët e Qarkullimit Rrugor ku dy shtetas A.J. 32 vjeç dhe K.K. 31 vjeç janë kapur duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.
Ditën e djeshme janë referuar materiale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për shtetasin D.Rr., 26 vjeç, pasi duke qenë administrator i një klinike, i ka dhënë një fletë analize për testin covid-19, një shtetasi të paidentifikuar dhe pa kryer tamponin përkatës.
Më datë 14.06.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë edhe për shtetasit H.S., 53 vjeçe, E.Z., 35 vjeç dhe F.C., 28 vjeç, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.