‘Harrohet’ Covid, autobusët në Tiranë plot, qytetarët pa maska
Transporti publik në kryeqytet është kthyer në vatër infektimi për Covid-19. Autobusët që vonohen në stacione sjellin tejmbushje të tyre, ndërkohë që askush nuk përdor maskën. Qytetarët ankohen për sjelljen e punonjësve të këtij shërbimi, ndërsa Bashkia e Tiranës duket se nuk ka marrë asnjë masë për përmirësimin e situatës në këtë periudhë pandemike.
Nga SYRI TV
Javët e fundit pandemia e Covid-19 ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, por pavarësisht shifrave, transporti publik në Tiranë duket se e ka harruar ekzistencën e tij. Stacionet janë të tejmbushur me qytetarë të cilët presin autobusin, por sapo këto autobusë mbërrijnë, situata me të cilën përballesh është alarmante. Qytetarët pa asnjë mbrojtje vërshojnë për të hyrë dhe për të dalë nga këto mjete transporti.
SYRI TV ka pyetur qytetarët nëse respektohen masat anti-Covid, por ata janë shprehur se këto masa nuk respektohen as nga qytetarët, por as nga shoferët apo faturinot.
Qytetarët ndihen të rrezikuar nga indiferenca masive e personave të cilët përdorin këtë transport.
Nga ana tjetër vonesat e autobusëve shkaktojnë radhët e gjata të pritjes së qytetarëve në stacione e rrjedhimisht edhe tejmbushjen e tyre.