Tenderi 14.4 milionë lekë, KESH shpall fituese ofertën më të lartë, skualifikohen 2 kompani
Aksionet e SPAK për hetimin dhe ndalimin e zyrtarëve që kanë abuzuar me tenderat apo thirrjet e kryeminitrit Edi Rama nuk i kanë penguar institucionet të vijojnë të zhvillojnë procedura pa garë apo ku skualifikohen të gjithë konkurentët me ofertë më të ulët.
Një fenomen i tillë është konstatuar së fundmi në Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare.
Bëhet fjalë për tenderin që ka si objekt furnizimin dhe instalimin e baterive stacionare me fond limit 18.5 milionë lekë.
Thirrjes së hapur nga institucioni nën drejtimin e Ergys Verdhos i janë përgjigjur 3 operatorë ekonomikë, 2 prej të cilëve janë skualifikuar.
Çuditërisht, një prej tyre ndonëse kishte shfaqur interes për kontratën nuk ka paraqitur ofertë dhe asnjë dokument tjetër përveç ekstraktit historik.
Ndërkohë që subjekti “Sinteza Co shpk” me ofertën 13.4 milionë lekë është përjashtuar nga gara pasi Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka konstatuar se nuk përmbush kriteret e veçanta të kualifikimit.
Në këtë mënyrë fituesi i kontratës është përzgjedhur kompania “Alen Co shpk” që kishte ofertuar dhe vlerën më të lartë prej 14.4 milionë lekësh.
Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit ky subjekt i krijuar në vitin 2008 administrohet nga Ludmilla Ngjeliu, që zotëron edhe 51% të aksioneve.
Ndërsa pjesa tjetër janë në pronësi të Ajla Ngjeliut.
Më herët Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar disa vendime të KESH-it pasi janë konstatuar skualifikime të padrejta nga gara apo kritere diskriminuese që kufizojnë pjesëmarrjen e operatorëve në tender.
Por pavarësisht kësaj, nga ana e SPAK apo KLSH nuk ka nisur ende ndonjë hetim për institucionin e drejtuar nga Verdho.