Tenderat korruptivë përplasin ashpër Lelin dhe Gjiknurin, Shkëlqim Leskaj i Ujësjellësit të Vlorës e pëson
Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli dhe drejtori i Ujësjellësit në këtë qytet, Shkëlqim Leskaj duhet të ishin të pandehur në SPAK ditën e sotme, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur dhe mesa duket s’do të ndodhë. Dy zyrtarët e Vlorës u konfliktuan ditën e djeshme, pasi Leli ka pranuar kërkesën e dorëheqjes nga Leskaj, por ky i fundit është penduar për atë letër dhe vazhdon të mbajë postin me forcë. Në këtë situatë as policia dhe asnjë institucion tjetër nuk ka reaguar pasi Leskaj është bërë i besuari i Damian Gjiknurit në këtë qytet, pasi ‘tradhëtoi’ Monikën dhe Ilir Metën.
Duket se sherri mes tyre nuk është thjesht për një dorëheqje nga posti, por për tendera me shumë vlerë nga Ujësjellësi i Vlorës. Nëse deri më tani ishte Dritan Leli ai që fshihej pas tenderave korruptivë të Vlorës, tani është e qartë se është Gjiknuri ai që falë Leskaj ndan paratë e ujësjellësit me Bashkim Ulajn dhe oligarkët e tjerë. Gjiknuri vendosi Leskajn në krye të ujësjellësit për përfitimet e tij personale, para se Dritan Leli të shpallej “non grata” nga Edi Rama.
Ndërkohë në muajin qershor të këtij viti, Gjiknuri dhe Leskaj i ‘dhuruan’ oligarkut Bashkim Ulaj dy tendera me vlerë 10 miliardë lekë, pasi mori pjesë i vetëm në garë. Bashkim Ulaj duket se nuk di të ndalet përsa i përket tenderave multi-miliarderë që fiton me një shpeshtësi të habitshme edhe pse është kapur duke vjedhur 32 milionë euro me Damian Gjiknurin, me letra false, me anë të kompanisë DH Albania. Duke ndjerë rrezikun dhe në këto rrethana favorizuese për oligarkët e Gjiknurit, Leli ka kërkuar largimin e menjëhershëm të drejtorit Leskaj.
Por ky i fundit nuk ka pranuar dhe ka mbajtur me forcë zyrën për plot 4 ditë, dhe vetëm dje kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli, bordi drejtues dhe nënkryetari i bashkisë i kanë kërkuar të lirojë zyrën. Por Shkëlqim Leskaj i urdhëruar nga Gjiknuri, ka thirrur policinë dhe ky sherr kaq i bujshëm u mbyll me kaq, pasi asnjëri s’ka bërë denoncim për palën tjetër.