Vijojnë replikat në Kuvend mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Me tone të ashpra, Rama i ka kërkuar Bashës të bëjë kujdes me fjalët që thotë nga foltorja, pasi sipas tij, e ndjekin edhe fëmijë, teksa iu referua deklaratës së kryedemokratit se “njëherë kafshova unë dhe u zhduke 3 javë”.
Rama i bëri thirrje Bashës që të “zgjohet”, pasi është ora 12 e drekës dhe nuk mund të përdorë një fjalor të tillë, duke theksuar se “Ca janë këto që po bën, je në orën 12 të drekës, zgjohu. E di nga e ke, me aleatin që ke pasur në krah, me kafshime në vesh e qafë, por mos na bëjë qesharakë të gjithëve këtu”.
Pjesë nga replika e Ramës:
Nuk po zgjatem shumë, por unë e kuptoj, se pse të duhet ty Lulzim kjo retorika e trimit të madh që s’ka shokë shumë, dhe që ka përballë frikacakë, që nuk ja dalin dot të ballafaqohen me sfidat e këtij trimi. Kjo është shumë e qartë, por edhe njëherë, do ta bëj këtë parantezë, deri kur të humbasë shpresën e të mos angazhohem më në këto lloj debatesh, respekto që të të respektojnë. Nuk mundesh dot ti, apo qoftë një forcë politike, që në përpjekjen për të realizuar një objektiv të vetin, duke mos pasur shumicën, të dhunojë verbalisht rivalin. Nuk e bën dot këtë, nuk funksionon. Fatkeqësia është që ti e ke provuar shumë shpesh, dhe sa herë e ke provuar, aq herë të është kthyer mbrapsht. Aq herë sa ke mbajtur këto fjalimet këtu, me orën që ka ardhur, me pengjet, aq herë ke dështuar. Këto dokrrat e tua me trimëri e me ndershmëri e me pathyeshmëri thuaja vetes, po mos dil këtu që të shfrytëzosh këtë foltore si Beni që ecën vetë natën e këndon që të mundë frikën. Të lutem, se u bëre qesharak fare. Nëse do të bësh procese në parlament, bashkë me ne, për ato nisma që ke lancuar, duhet të kuptosh se ne nuk kemi kohë për të humbur, por angazhohemi me gjithë kohën për t’i bërë këto seriozisht.