Struktura paralele që dublojnë Albpetrol.
Për sa i përket ngritjes dhe funksionimit të strukturave paralele në Albpetrol, nga auditimi rezultoi që organika e personelit të Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve nuk ishte në përpjesëtim me numrin total të punonjësve në administratën e Albpetrol, si dhe me nevojën reale të kësaj drejtorie për këtë numër punonjësish. Nga 150 punonjës që është personeli i administratës së Albpetrol, 63 prej tyre i përkasin Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve. Madje, disa punonjës të kësaj drejtorie, në veçanti ata të Sektorit të Supervizimit, janë pa profesionet përkatëse ose janë të padiplomuar. Në strukturën e kësaj drejtorie ishin parashikuar qëllimisht sektorë, të cilët dublojnë veprimtarinë e strukturave të tjera të Albpetrol, si sektori ekonomik, sektori juridik, sektori teknik etj., dhe madje këta sektorë të drejtorisë vazhdojnë ta kryejnë veprimtarinë e tyre, pa u mbështetur në detyra konkrete të përcaktuara në rregulloren e brendshme të Albpetrol. Roli i vërtetë i këtyre strukturave në veprimtarinë e Albpetrol sh.a, evidentohet qartë në rastin e Aktmarrëveshjes së datës 28.02.2014, ku nga ana e administratorit të Albpetrol nuk është marrë parasysh propozimi i Drejtorisë së Shitjes dhe asaj të Financës për llogaritjen e kostos së transportit në 3,7 USD/BBL, por u rëndua kostoja me 9 USD/BBL, ose edhe në rastin e Aktmarrëveshjes së datës 04.04.2014, për të cilën mungon aprovimi i Drejtorisë Juridike, Drejtorisë së Shitjeve, Drejtorisë së Financës, Drejtorisë së Programimit dhe njëkohësisht në zbatimin e kësaj aktmarrëveshjeje është shmangur edhe QASHNG. Dëshira për të fuqizuar Drejtorinë e Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve dhe për të përqendruar brenda saj të gjithë veprimtarinë e drejtorive dhe sektorëve të tjerë të Albpetrol, ka shkuar deri aty sa me rregullore të brendshme të shoqërisë t’i njihet e drejta kësaj drejtorie që të auditojë kompanitë koncesionare, kompetencë kjo që i takon vetëm Drejtorisë së Auditit të Brendshëm, pra praktikisht kjo drejtori është përjashtuar nga kjo detyrë ligjore. Shkeljet e mësipërme, të konstatuara nga auditimi i KLSH-së, janë favorizuar së tepërmi nga mënyra sesi Albpetroli është strukturuar dhe ka funksionuar gjatë kësaj periudhe, nën drejtimin e administratorit të kësaj shoqërie, i cili ka mënjanuar drejtori të caktuara të kësaj shoqërie nga kryerja e funksioneve të tyre.
Problemet e mbartura ndër vite me Sindikatën e Naftës
Gjatë kësaj periudhe, në adresë të KLSH-së, si dhe të institucioneve të tjera të larta të vendit kanë ardhur shumë ankesa nga Sindikata e Nxjerrjes së Naftës Patos, për sa u përket largimeve të padrejta nga puna, problemet në lidhje me përfitimin e pensioneve. Nga auditimi rezultoi se numri i punonjësve është rritur me 219 punonjës (nga 1868 në 2087) dhe numri i administratës së Albpetrol është rritur me 21 punonjës (nga 129 në 150), veprime këto të cilat kanë sjellë deri më sot një efekt financiar në buxhetin e shoqërisë prej 84,928,878 lekë. Kjo shtesë e bërë në numrin e punonjësve dhe administratës është e pajustifikuar në raport me rritjen e të ardhurave financiare të shoqërisë dhe është në kundërshtim me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës. Në lidhje me këto çështje dhe problemet e shumta që e shoqërojnë atë, KLSH do t’i propozojë Kuvendit ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për analizimin e veprimtarisë dhe situatës së krijuar ndër vite në shoqërinë Albpetrol për këtë problem, në dobi të punonjësve ndër vite të kompanisë.
Tri akuzat për 6 drejtuesit.
KLSH ka kallëzuar administratorin e Albpetrol për tri vepra penale që lidhen me korrupsionin. Duke marrë shkas nga ndryshimet e fundit ligjore, Endri Puka është kallëzuar në Prokurorinë për Krimet e Rënda, ndërkohë që mësohet se ky kallëzim penal është i dyti për të. Më 3 shtator të këtij viti, KLSH depozitoi pranë organit të Prokurorisë kallëzimin e parë ndaj administratorit të “Albpetrol” për veprën penale “Kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik”, pasi gjatë periudhës së kryerjes së këtij auditimi nga KLSH, administratori i “Albpetrol” nuk pranoi të vinte në dispozicion të audituesve të KLSH-së dokumentacionin e kërkuar në lidhje me marrëveshjet e hidrokarbureve, të cilat sipas tij ishin konfidenciale. Ndërkohë, për shkeljet e konstatuara në lidhje dhe me zbatimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve si edhe ato me fiktivitetin e konstatuar nga KLSH në bilancet vjetore të naftës së QASHNG, Patos KLSH ka depozituar në organin e Prokurorisë, kallëzimin penal me nr. 528/28, datë 24 shtator 2014 për administratorin e Albpetrol dhe drejtorin e Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve dhe disa drejtues të tjerë të kësaj shoqërie. Gjashtë personat e akuzuar, pikërisht Endri Puka, Andi Derhemi, Jetmir Gjini, Ermir Avdaj, Novruz Çuka dhe Marjeta Apostoli, dyshohen për konsumimin e elementeve për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, si dhe “Korrupsionit aktiv/pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
1 Marrëveshjet – Kompania Albpetrol ka nënshkruar dy marrëveshje me kompani koncesionare, në dobi të interesave të tyre dhe në dëm të shtetit shqiptar
2 Arbitrariteti – Në marrëveshjet e nënshkruara kompanisë koncesionare i është dhënë e drejta të blejë naftën pa konkurruar në procedurat e ankandit
3 Mosbarazia – Administratori ka vendosur që ta favorizojë koncesionarin të tërheqë naftën pa kaluar te QASHNG, por direkt në vendburimin e naftës
4 Holluesi – Në rastin e një prej kompanive koncensionare, në kundërshtim me ligjin sasia e holluesit të përdorur është zbritur nga nafta e prodhuar
5 QASHNG – QASHNG përdorte për kontabilitet Microsoft Excel, program i cili lejon mundësinë e kryerjes së ndryshimeve për periudhat e mëparshme
6 Dublimi – Albpetrol ka ngritur strukturën e Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve, duke dubluar struktura të tjera brenda kësaj kompanie