Statistikat/ Shqipëria, e para në rajon për homofobi!
Shoqëria shqiptare vijon t’i shohë me “skepticizëm” personat e komunitetit LGBTI. Sipas një studimi të kryer gjatë 10 viteve të fundit, 94% e shqiptarëve nuk do e pranonin që fëmija i tyre të kishte orientim të ndryshëm seksual dhe 53% e tyre mendojnë se komuniteti LGBTI nuk duhet të gëzojë liri dhe të drejta si të gjithë njerëzit, ndërsa nga ana tjetër një në tre persona bien pre e dhunës fizike dhe nuk pranohen në famijle. Vështirësi në pranimin e këtij komuniteti u vunë re edhe ditën e sotme në Tiranë, ku 17 maji shënon edhe Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, dhe në këtë kuadër komuniteti në fjalë organizoi një tubim për të kërkuar të drejtat e tyre.
Drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Altin Hazizaj i sheh alarmante shifrat e mospranimit në shoqëri të komunitetit LGBTI, ku ndër të tjera ai tha se ky komunitet po has vështirësi edhe në gjetjen e një pune të qëndrueshme, për shkak se diskriminohen nga shoqëria. Në Ditën Botërore të komunitetit LGBTI, u paraqitën edhe disa kërkesa drejtuar shtetit shqiptar, ndër të cilat:
- Miratimi i ligjit për njohjen e identitetit gjinor.
- Miratimi i ndryshimeve ligjore për mbrojtjen e fëmijëve interseks.
- Miratimi i standardeve kombëtare të respektit për personat LGBTI në Shqipëri.
- Krijimi i një programi kombëtar për përgatitjen dhe punësimin e personave transgjinorë në Shqipëri.











